KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHI, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË CEREMONINË E 120- VJETORIT TË KRIJIMIT TË SHOQATËS “TOMORRI”

Ditën e diel, 22 nëntor 2026, Kryegjyshi Botëror Bektashi, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 120-vjetorit të krijimit të Shoqatës “Tomorri”, një përvjetor me rëndësi për historinë, traditën dhe trashëgiminë kulturore e kombëtare shqiptare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryegjyshi vlerësoi kontributin dhe vazhdimësinë e kësaj shoqate, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë jo vetëm për anëtarët e saj, por edhe për të gjithë shqiptarët. Ai e lidhi këtë përvjetor me dashurinë për gjuhën shqipe, rëndësinë e Ditës së Alfabetit dhe përkushtimin ndaj atdheut e identitetit kombëtar.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij iu kushtua malit të Tomorrit, të cilin Kryegjyshi e përshkroi si një simbol të rëndësishëm shpirtëror dhe të besimit, të njohur në traditën bektashiane si vendi i të mirëve. Ai solli në vëmendje edhe ardhjen e Abas Aliut në malin e Tomorrit, duke theksuar rëndësinë që kjo traditë mbart për besimtarët dhe trashëgiminë shpirtërore shqiptare.
Gjatë fjalës, Kryegjyshi bëri gjithashtu një referencë historike për Kongresin e Manastirit, duke kujtuar diskutimet dhe përpjekjet për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si një moment themelor në konsolidimin e identitetit kombëtar.
Në përfundim, Hirësia e Tij përcolli një mesazh të veçantë për bashkim, dashuri, paqe dhe mirësi njerëzore. Ai theksoi se gjuha shqipe duhet të shërbejë jo vetëm si mjet komunikimi dhe identiteti, por edhe si një udhërrëfyes për të luftuar veset, për të kultivuar vlerat njerëzore dhe për t’u bërë më të mirë në raport me veten, familjen dhe shoqërinë.
Pjesëmarrja e Kryegjyshit Botëror Bektashi në këtë përvjetor shërbeu si një shprehje e vlerësimit për traditën, historinë dhe kontributin e Shoqatës “Tomorri”, si dhe për lidhjen e pandashme ndërmjet trashëgimisë shpirtërore, gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar.