HAXHI DEDE BABA, EDMOND BRAHIMAJ KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE PRITI NJË DELEGACION AKADEMIK NGA JERUSALEMI

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, priti të dielën më 22 nëntor 2026, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, një delegacion prej 10 përfaqësuesish akademikë, pedagogë dhe studentë, nga Departamenti i Qeverisjes, Diplomacisë dhe Komunikimit, pranë Jerusalem Multidisciplinary Center, në Jerusalem.
Delegacioni, i përbërë nga 7 studentë dhe 3 pedagogë, kryesohej nga z. Arik Segal dhe ndodhet në Shqipëri dhe Mal të Zi në kuadër të një vizite studimore, në datat 22-26 nëntor 2026. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër e realitetit politik dhe shoqëror të të dy vendeve, përmes takimeve dhe kërkimeve në terren, të cilat do të shërbejnë si bazë për punimet studimore të studentëve.
Gjatë takimit me Kryegjyshin Botëror, të pranishmit shprehën interes të veçantë për rolin e tij në drejtimin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane historinë dhe filozofinë e këtij besimi, si dhe rolin e fesë në shoqërinë shqiptare.
Kryegjyshi Botëror i njohu vizitorët me traditën dhe vlerat e bektashizmit, duke u ndalur veçanërisht te toleranca, dashuria njerëzore, respekti për besimet e ndryshme dhe bashkëjetesa ndërfetare, si vlera të rëndësishme të traditës shqiptare.
Takimi shërbeu si një mundësi e vyer për shkëmbim mendimesh dhe njohje të mëtejshme të kontributit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në promovimin e dialogut ndërfetar, paqes dhe harmonisë mes njerëzve.