
Sot, më 16 qershor 2026, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe në mjediset e teqeve bektashiane anembanë vendit, filloi periudha e Matem-it, ditë përkujtimi, reflektimi dhe nderimi për martirët e Qerbelasë.
Klerikë, myhibë, dashamirës dhe besimtarë të Udhës sonë u mblodhën së bashku për të kujtuar sakrificën sublime të Imam Hysenit (a.s.) dhe shokëve të tij, të cilët me qëndresën e tyre u bënë simbol i përjetshëm i së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në vazhdim të traditës shekullore bektashiane, gjatë këtyre ditëve do të lexohen dhe komentohen ngjarjet e përshkruara në veprën “Kopshti i të Mirëve” (Hadika Suada), duke sjellë në kujtesë dramën e Qerbelasë dhe mesazhet e saj universale për njerëzimin.
Matemi është një kohë përkushtimi shpirtëror, vetëpërmbajtjeje, solidariteti dhe reflektimi mbi vlerat e larta morale që mishëroi Imam Hyseni (a.s.), duke i përcjellë ato brez pas brezi si pjesë e trashëgimisë sonë fetare dhe kombëtare.
Ceremoniali zyrtar i Ashures do të zhvillohet ditën e premte, më 26 qershor 2026, në Qendrën Botërore Bektashiane në Tiranë, ku besimtarë dhe personalitete të shumta do të bashkohen për të nderuar këtë ngjarje të shenjtë dhe domethënëse për komunitetin bektashian.





