Ditën e diel, 28 gusht 2022, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në pelegrinazhin tradicional vjetor, në teqenë e Kreshovës, Kolonjë ditë e cila përkoi edhe me 122-vjetorin e themelimit të saj.
Në këtë ditë të shënuar, përveç banorëve të zonës, të larguar ndër vite e dekada nga kjo trevë, emigrantë të ardhur me pushime në vendlindje, kishin ardhur dhe besimtarë e dashamirës nga krahina të ndryshme të vendit, deri nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Pjesë e riteve të këtij pelegrinazhi u bënë edhe Kryetari i Bashkisë Kolonjë, z. Erion Isai, drejtuesit vendorë etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror Bektashian evokoi historinë e kësaj teqeje të lashtë, rolin e dervishëve e baballarëve që kanë punuar ndër dekada e shekuj në këtë teqe, si dhe punën që po bëhet nga Gjyshata e Korçës për ruajtjen e këtyre vlerave, e pasurimin e tyre.
“...Jam i lumtur që ndodhem sot këtu, në teqenë më historike të Kreshovës, mes myhibëve e besimtarëve të kësaj zone, miqve e dashamirësve, dhe si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve ju përshëndes dhe bekoj për devotshmërinë dhe përkushtimin tuaj, duke u bërë pjesë e aktiviteteve të tilla, që rrisin dhe forcojnë më tej besimin në të Madhin Zot, bashkëpunimin dhe unitetin vëllazëror, që forcojnë paqen njerëzore në këto kohë të vështira që po kalojmë. Duke bashkëbiseduar me njëri-tjetrin, duke rritur shpresën tek Zoti, për ditë më të mira, ne afrohemi sa më shumë drejt asaj që kërkojmë, paqes e harmonisë. Paçi shëndet dhe mirësi në familjet tuaja! Zoti ju bekoftë! ” – tha midis të tjerave, në përshëndetjen e Tij, Dede Edmond Brahimaj.
E themeluar në mesin e shekullit të 19-të, prej Hasan Babait, në vitin 1900, teqeja e Kreshovës do të afronte rreth vetes, me mijëra besimtarë, të cilët panë tek tarikati bektashian, unitetin natyral të besimit në Zot dhe dashurinë për vatanin.
Teqeja e Kreshovës, iu bashkua në misionin e saj teqeve të tjera të famshme, si ato të Qesarakës, Leskovikut, Starjes etj, duke hapur dyert jo vetëm për besimtarët bektashinj, por edhe për ata atdhetarë që me pushkë e me penë, shkruan epopenë e lavdishme të përpjekjeve tona shekullore për autonomi dhe prosperitet.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ