DITË E PASUR AKTIVITETESH, NË SELINË E SHENJTË BEKTASHIANE

Më datën 22 shkurt 2024, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u zhvilluan veprimtaritë e rëndësishme:

-Dhënia e titullit “Nderi i Qarkut të Elbasanit”, (pas vdekjes), baba Sherif Canometaj, me rastin e 30-vjetorit të kalimit të tij nga jeta.
-Përkujtimi i 118-vjetorit të ditëlindjes të Dede Ahmetit.
-80 vjetori i kalimit nga jeta, i Dede Ali Riza.
Në këtë veprimtari morën pjesë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, dr. Genc Kruja; ndihmësi i Kryepeshkopit Anastas, të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë episkop Asti; kleriki i Kishës Katolike të Shqipërisë, Monsinjor Henri; nga tarikatit Kadri, Sheh Bujar Horasani; nga tarkikatit Rufai, Sheh Qemaludin Reka; klerikë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut; drejtori i Qendrës Ndërfetare për Elbasanin dr. Arben Ramkaj; myftiu i Elbasanit, Haxhi Agim Duka.
Mori pjesë gjithashtu Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, znj. Ermira Urup; Prefektja e Elbasanit, znj. Majlinda Peza-Perriu; Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja; deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Lorenc Spaho; drejtori i institutit të Historisë, prof. Dr. Hamit Kaba; prof, dr. Kaliopi Naska; dr. Zaho Golemi; Engjëll Musaj, Kryetar i Shoqata Atdhetre Kulturore “Tomorri”; Agim Shkëmbi, Kryetar i Shoqatës së Bashkuar Gorë-Opar; si dhe besimtarë e dashamirës të shumtë.
Pas Himni kombëtar dhe Himni Bektashian, moderatori, Bujar Asqeriu prezantoi gjithë aktivitetin sipas programit: Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili midis të tjerave tha: “… Jam i nderuar sot, që me pjesëmarrjen tuaj në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, bashkërisht përkujtojmë figura të shquara të bektashizmit, udhëheqës shpirtërorë të nderuar ndër breza. Klerikët famë lartë, mistik, që e donin Islamin e në thelb bektashizmin, që mençuria, dituria e largpamësia e tyre, na bën këta që jemi sot, të fortë përballë ndryshimeve globale e të palëkundur në zbatimin e normave, urdhëresave e doktrinës bektashiane. Dede Ahmeti, Ali Riza Dede e Baba Sherifi, figura emblematike që me krenari i përkujtojmë sot, kishin të përbashkëta mistikën e dashurinë për njeriun. Njeriun e vlerësonin në shumë dimensione, si besimtarë i denjë, i mbartur me vlera patriotike. Edukimin shumëdimensional tek njeriu, e shihnin nga një prizëm personal. Dede Ahmetit ka interpretuar mrekullisht libri shenjtë të Kuranit, përkthimin në disa gjuhë të botës të tij, projektimin e kësaj godine që ne gëzojmë sot “Odeoni”, është kontribuues në konferencat botërore për paqen e një faktor nxitës i harmonisë ndërfetare. Ai ishte udhëheqës shpirtëror i Dede Reshatit e shumë myhibëve të tjerë që i priu në një udhë të ndritur e tepër të dashur atë të bektashizmit. Udhëhoqi bektashizmin me dinjitet e lartësoi figurën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në breza.
Ali Riza Dede klerik i edukuar me teologjinë e Islamit, e mistik bektashi, jetën e tij ua përkushtoi besimtarëve bektashi të Krujës, Elbasanit e Martaneshit. Ai udhëhoqi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me drejtësi e përkushtim. Pas kalimit nga jeta, iu dha titulli i merituar, ‘Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit I-rë’ dhe “ Nderi i Kombit”.
Përkujtojmë sot gjithashtu 30 vjetorin e kalimit nga jeta e kemi nderin të mirëpresim me konsideratë të lartë titullin e merituar “Nderi i Qarkut të Elbasanit” për baba Sherif Canometaj. Baba Sherifi ky klerik i paepur për dije e shkollim, i kudogjendur mes nevojave të besimtarëve, edhe kur diktatura e ndaloi e shkatërroi dhe denigroi besimin fetar, në derën e shtëpisë së tij në Elbasan shkruhej “Teqe” ku priste e përcillte besimtarë që aq shumë kishin nevojë për të nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Gjatë shërbimit si klerik, me punën e tij, kulturën e gjerë që zotëronte dhe respektin që gëzonte nga të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, por edhe në popull, arriti të merrte të gjitha gradat e klerikut bektashian. Në vitin 1965 u bë Halife. Ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore dhe bektashizmit. Janë këto vlera që e lartësojnë figurën e këtij shenjtori. Baba Sherifi mbetet një figurë e shquar e bektashizmit. Falënderime për Qarkun Elbasan, që sot në këtë ditë të shenjtë e të shënuar i akordon Baba Sherifit , por edhe si krenari për bektashizmin këtë titull të merituar “Nder i Qarkut të Elbasanit” , sepse për besimtarët e Elbasanit dha shumë nga jeta e tij, e prej Elbasanit po nderohet me dinjitet. Në këtë ditë tepër të veçantë , në përkujtim të klerikëve mistik bektashinj që rrënjosën te besimtarët vlera të paçmueshme të trashëguara në breza, do të doja të vija theksin e të jepja një mesazh për të gjithë klerikët bektashinj, myhybë , besimtarë e dashamirës “ Udhëhiqeni jetën tuaj në një mënyrë të tillë, që kur të kaloni nga kjo jetë, njerëzit të vajtojnë e të përkujtojnë me mall veprat tuaja , dhe sa jeni gjallë në këtë jetë të kenë mall për shoqërinë tuaj.”
Përshëndeti, në vijim, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan znj. Ermira Urupi, e cila vlerësoi lart figurat e bektashizmit dhe rolin e baba Sherifit në zonën e Elbasanit. Përshëndeti gjithashtu dhe Kryetari i Bashkisë e Elbasanit, z. Gledian Llatja.
Më pas Prof. Dr. Hamit Kaba, kumtoi mbi: “ Baba Sherif Canometa, Dede Ahmeti dhe Dede Ali Riza – tre figura të shquara të Bektashizmit Shqiptar”, i cili u ndal në veprimtarinë e këtyre tre figurave të njohura për bektashizmin dhe roli i bektashinjve shqiptarë në historinë e popullit shqiptarë.
E gjallëroi këtë veprimtari këngëtari i njohur elbasanas, Medin Zena me këngë bektashiane.
E veçantë në këtë ditë ishte dhënia e titullit “Nderi i Qarkut të Elbasanit” (pas vdekjes), baba Sherif Canometaj nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit. me vendim Nr. 11, datë 12.02.2024 me këtë motivacion: “Për kontributin e shquar në dobi të komunitetit, si humanist i fesë duke rritur dhe forcuar harmoninë fetare në qarkun e Elbasanit”.
Këtë vlerësim, znj. Ermira Urupi, ia dorëzoi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dha mirënjohje dhe medalionin “Selia e Shenjtë, Odeoni” për disa nga personalitetet e kontributorët.
Bashkëbisedimi vazhdoi dhe u mbyll me një koktei, të organizuar me këtë rast.
Aktiviteti u ndoq dhe pasqyrua gjerësisht në televizionet kombëtare, në valë tokësore dhe satelitore.

Përgatiti:
Nuri ÇUNI

Fotot:
Nuri ÇUMANI