
Besimtarë të shumtë nga Shqipëria dhe gjyshatat e tjera brenda dhe jashtë vendit, u mblodhën në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për ritet e Mevludit, në kujtim dhe nderim të 15-vjetorit të kalimit nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Reshat Bardhi.
Për këtë rast, në orën 11:00, nën drejtimin e kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në sallën kryesore të Qendrës Multifunksionale ‘Odeoni”, u bë Mevludi. Rituali i Mevludit, u bë nën drejtimin e Dede Edmbornd Brahimajt, shoqëruar me grupin e klerikëve bektashian.
Interpretimet dhe ritet e tjera, shoqëruar me pjesë nga Kurani Famëlartë, Hadithet, thënie të Profetit Muhamed e Imam Aliut, krijuan një atmosferë të ngrohtë tek besimtarët dhe dashamirësit.
Në fund të Mevludit, Kryegjyshi bëri dhe një përshëndetje për të pranishmit dhe një prezantim të jetës dhe veprës si klerik e atdhetar, të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Reshat Bardhi.
Gjithashtu, Kryegjyshi, i dorëzoi një mirënjohje, Prof. Xhemal Balla që është dhe drejtues i kursit të përgatitjes së kursit të përgatitjes së klerikëve.
Në këtë aktivitet të veçantë, besimtarët u njohën dhe me materiale të ndryshme në muze, që lidhen me jetën e Dede Reshatit.
Fotot: Nuri ÇUMANI





















