AKTIVITETE TË SELISË SË SHENJTË BEKTASHIANE, PASQYRUAR NË MEDIEN QENDRORE
Lorik BAKIJA
Gazetar
Të enjten, më 27 janar 2022, në Gjyshatën Bektashiane në Gjakovë, u zhvillua ceremoni përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama (1949-2021), si dhe 47 vjetori i kalimit nga jeta, i baba Musa Himaduna (1900-1975). Përveç Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mernin pjesë dhe kreu i tarikatit kadri në Tiranë, sheh Bujar Horosani; dervishi i teqesë Harabati në Tetovë, dervish Abdylmutalib Beqiri; myhibja bektashiane Afërdita Lama etj... Ceremonitë u drejtuan nga Shenjtëria e tij, Haxhi Dede, Edmond Brahimaj. Pas përshëndetjes së Kryegjyshit, folën dhe dervish Rrauf Radoniqi; kreu i tarikatit kadri në Tiranë, sheh Bujar Horosani; dervishi i teqesë Harabati në Tetovë, dervish Abdylmutalib Beqiri; myhibja bektashiane Afërdita Lama …
Në fjalën e tij, në përkujtim të Baba Muminit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: “. .. Këtu, në këtë vënd, plot një vit më parë, u nda fizikisht nga kjo botë, vëllai jonë, baba Mumin Lama. Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t'u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. Ndarja nga kjo jetë e vëllait tonë baba Mumin Lamaj, është një humbje për ne të gjithë besimtarët bektashianë kudo ku ndodhen në botë, njëkohësisht dhe një detyrim për të punuar më shumë, bashkë me myhibët, klerikët, besimtarët e dashamirësit, për të çuar më tej misionin fetar e atdhetar të baba Mumin Lamës. Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashiane. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur, të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Baba Mumini, njihej për qetësinë që reflektonte, për urtësinë e bujarinë e madhe. Tregonte respektin për çdo qenie njerëzore, ngrihej me konsideratë si për fëmijët ashtu për të moshuarit...”
Për Baba Mumin Lamën foli dervish Rrauf Radoniqi i Teqesë së Gjakovës. Ndër të tjera, ai tha: “Muajt e vitet po lëvizin shumë shpejt, por edhe mallëngjimi po na shtohet. Baba Mumini udhëhoqi për Teqe dhe Komunitetin Bektashian të Kosovës. E pati fatin të jetë udhëheqës në kohë të vështirë, në luftë dhe pas luftës. Ka dhënë kontribut të madh dhe të çmuar. E përjetoi djegien dhe shkatërrimin e teqesë, të tyrbes e të bibliotekës. E rindërtoi teqenë, tyrben dhe u angazhua që ta pasurojë bibliotekën. Nuk ka dyshim që Baba Mumini do të përmendet e kujtohet në këtë teqe, por edhe në hapësira të tjera. Është urtësia e tij që do të na udhëheqë. Butësia e tij do të na motivojë..”
Në fjalën e saj, myhibja bektashiane, njëkohësisht bashkëshortja e të ndjerit, ndër të tjera u shpreh: “... Si familje e baba Muminit, patëm privilegjin që të mësojmë për së afërmi vlerën e të qenurit njerëzor, paqësor, e të përkushtuar. Për tri dekada pareshtur babai me punën e tij të palodhshme u bë shembull i tolerancës ndërfetare brenda dhe jashtë vendit. Unë si myhybe sot dhe çdo herë i jam falëndëruese Kryegjyshit botëror Bektashian, Dede Mondit, për përkujdesjen shpirtërore dhe humanizmin që tregoi që nga sëmundja e deri te shkuarja në përjetësi të baba Muminit.”
Njëkohësisht, u përkujtua 47 vjetori i kalimit nga jeta të Baba Musa Himadunës. Me lutjet e Kryegjyshit, sipas rregullit bektashian u kompletua mezari i Baba Musa Himadunës në tyrben e baballarëve në teqenë bektashiane të Gjakovës, pas rivarrimi të tij, që u bë më 15 janar 2022, pasi 47 vite, qëndroi në varrezat e qytetit në Gjakovë.
Dede Edmond Brahimaj, duke kujtuar baba Musa Himadunën, ndër të tjera, tha: “Veprimtaria e dervish Musës, gjatë gjithë jetës, shpalosi dashuri të thellë mistike. Duke e njohur mirë se kush ishte dervish Musa, përgatitjen fetare, intelektuale e ndjeshmërinë njerëzore të tij, Halife Baba Qazim Bakalli-postnishin i Gjyshatës Harabati, e gradon Musa Himadunën “Baba” dhe e vendos postnishin në Kërçovë. Këtu, baba Musa Himaduna, pranoi shumë myhibë, në Kërçovë, nga zona të tjera të Maqedonisë e deri në Turqi. Aktiviteti i baba Musa Himadunës ka vazhduar edhe më tej në teqenë Harabati të Tetovës. Gjithashtu, baba Musa Himaduna vazhdoi aktivitetin edhe për pak kohë në Maqedoni. Abuzimet e komplotet e ndryshme, bënë që baba Musa Himaduna, përfundimisht, në vitet e gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të, të kthehej në Gjakovë.”
Për Baba Musa Himadunën, foli dervishi i Teqesë së Gjakovës, Rrauf Radoniqi, i cili ndër të tjera tha: “Baba Musa kaloi nga jeta në epokë të rëndë, kur për shkak tërrethanave politike nuk patën mundësi ta varrosin në tyrbe, për shkak se teqeja ishte në qendër të Gjakovës. Pas një kohe kaq të gjatë të pritjes, me dëshirën e flaktë të bektashinjve të Gjakovës dhe me lejen e Kryegjyshit, Dede Edmond Brahimaj, më 15 janar 2022, ditë e shtunë, baba Musa erdhinë vendin që i ishte rezervuar dhe që i takonte. Tani, ia bëjmë respektin në tyrben e baballarëve të teqesë sonë.”
Në ceremoninë e vendosjes së mezarit të Baba Musës ishte prezente myhibja e tij, motra jonë Emine, që erdhi nga Maqedonia për ta nderuar myrshydin e saj. Të pranishmit, ndoqën me interes dhe ekspozitën fotografike të përgatitur për këtë event.
Përgatiti faqen: Kujtim BORIÇI