Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mer pjesë në promovimin e librit “Me Moikomin” të autorit Enver Kushi, në 1 vjetorin e largimit nga jeta.


Ditën e sotme, më datë 21 qershor 2021, ora 11:00, tek “ Qendra e Solidaritetit”, të Fundjavë Ndryshe, u zhvillua një event i veçantë, ku mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e promovimit të librit të autorit Enver Kushi: “Me Moikomin”, 1 vjetori i largimit nga jeta.
Në prani të shumë personaliteteve të letrave shqipe, pjestarëve, miqve dhe dashamirësve të Moikom Zeqos, Kryegjyshi Botëror, shprehu një vlerësim të lartë, për figurën dhe kotributin e këtij studiuesi, shkrimtari, arkelogu, miku të vyer dhe bashkëpuntori të përhershëm, në kontributin e tij për bektashizmin.
Ai kontriboi për bektashizmin, ku midis 62 librave, botoi “Princit e Mistikës”, “Syri i Tretë” mbi Naim Frashërin dhe Bektashizmin.
Ka marë pjesë në shumë simpoziume, konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, për bektashizmin, të drejtuara nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Përmes leximit të veprave të tij, arrijmë të kuptojmë në essence, jo thjesht letërsinë e madhe, por sidomos dashurinë e madhe me të cilën Moikomi, u shpërfaq në gjithë jetën e vet. Dashurinë e thellë për kombin e vet, për letërsinë, filozofinë, lashtësinë dhe krejt visaret shqiptare.
Në faqet e këtij libri, pasqyrohen çastet e fundit të largimit të erudit nga kjo jetë, si dhe pengjet e tij.
Miqësia mes autorit të këtij libri, Z. Enver Kushi, muzeolog  prej disa vitesh në Muzeun e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Moikom Zeqos i ka fillesat, në bankat e Fakultetit të Filologjisë, plot 54 vite më parë dhe ky libër dedikuar mikut të tij, vjen në përvjetorin e vdekjes, por në dijeni ka qenë edhe Moikomi, i cili ka miratuar shkrimin dhe titullin e tij.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në eventin e sotëm, por ndërsa po ulesha të shkruaja këto radhë përshëndetëse, mendova për një çast Moikomin. Sa të lehtë do ta kishim sot, të flisnim për veprën e tij dhe ta kishim Moikomin pranë nesh. Sa bukur do ish, të dëgjonim nga goja e tij, spjegimet rrjedhëse dhe idetë e shpërfaqura me aq thellësi dhe befasi. Sa të lehtë do ta kishim, nëse Moikomi ynë, do na spjegonte filozofitë e lashtësisë, të kundruara përmes realiteteve të këtyre ditëve!
Por ja që Moikomi na mungon fizikisht. Ai tani me siguri shëtit në kopshte të xhenetit duke na lënë neve, të gjallëve në këtë botë, të flasim e diskutojmë pa praninë e tij fizike, por me praninë e përjetshme shpirtërore. Na duhet ne të kundrojmë përmes artit të madh të tij, gjërat e vdekshme dhe të pavdekshme të kësaj bote. Na duhet ne, që përmes leximit të veprave të tij, të kuptojmë në esencë jo thjesht letërsinë e madhe, por sidomos dashurinë e madhe me të cilën Moikomi, u shpërfaq në gjithë jetën e vet. Dashurinë e thellë për kombin e vet, për letërsinë, filozofinë, lashtësinë dhe krejt visaret shqiptare.
E kam thënë edhe diku tjetër; Moikomi përveç meritave në çdo sferë, mbetet sot një ndër studiuesit më në zë të bektashizmit. Bektashi edhe për nga origjina e tij biologjike, Moikomi përmes një vargu të gjatë studimesh, do të nxirrte në pah sidomos tolerancën e tarikatit tonë, duke u ndalur gjatë në filozofinë e bektashizmit si edhe përafërsinë e tij me filozofitë e tjera të kohrave. Moikomi, në librin e tij “Syri i tretë” e percepton tarikatin si një univers lirie, duke u mbështetur sidomos në frymën e Naim Frashërit.
Por sot, është koha t’ua lemë vendin studiuesve. Më vjen mirë që ndonëse zemra e Moikomit ka heshtur, vepra e tij vazhdon rrugëtimin e saj. Të gjithëve, ja vlen të lexojmë dhe të mrekullohemi me çfarë ai la pas.
Zoti ju bekoftë të gjithëve ju që nxirrni në dritë thesare të tillë!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Moikom Zeqo.
Moikom Zeqo, lindi më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit, me origjinë nga Libohova. Në Libohovë ai mori edhe arsimin fillor. Më 1967, nisi të ndiqte Fakultetin Histori-Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971, në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974, punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.
Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit i’u dha portofoli i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991- 1996 deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë, me karakter arkeologjik dhe kulturor. Midis 62 librave, botoi “Princit e Mistikës”, “Syri i Tretë” mbi Naim Frashërin dhe Bektashizmin. Ka marrë disa herë çmime të para, për librat e tij.
Krijime të Moikom Zeqos, janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht etj…
Ai eshtë autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë.
Ka marë pjesë në shumë simpoziume, konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, për bektashizmin, si dhe duke përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.