Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron besimtarët për Fiter Bajramin

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi, Dede Edmond Brahimaj, ka uruar sot besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin. Ndër të tjera, në urimin e Tij, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, ka theksuar nevojën e forcimit të vëllazërisë, dashurisë ndaj njeri-tjetrit pa dallime besimi, etnie e ngjyre, nevojën e forcimit të humanizmit, veçanëriasht në këto kohë të vështira që po kalon dhe vendi ynë, për shkak të pandemisë Covid-19. Ndër të tjera, në urimin e tij, Dede Edmond Brahimaj pohon: “Të dashur besimtarë, kudo që ndodheni, më lejoni t’ju uroj nga zemra gëzuar Fitër Bajramin. Paqja dhe bekimet e Zotit të Lartësuar, qofshin mbi gjithë ata që agjëruan moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe mbi gjithë të tjerët, jo myslimanë të cilët me mirësitë e tyre na i bënë më të lehtë këtë muaj. Muaj i madhërueshëm i Ramazanit të këtij viti, pati të veçantën, se përkoi me një situatë jo normale, për shkak të pandemisë globale të Covid-19, por dhe për shkak të vështirësive që shumë familjarë u përballën me problem të strehimit, si pasojë e tërmetit të fundit dhe problem të tjera ekonomike si pasojë e këtyre situatave. Në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, u uroj të gjithëve ‘Gëzuar Fiter Bajramin’, shëndet, paqe, mirësi e dashuri. Zoti u bekoftë të gjithëve!”

Përgatiti:
Xhorxhin ÇUHLLAI