KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN MERR PJESË NË CEREMONINË PËRKUJTIMORE NË ISH-BURGUN E SPAÇIT

Ditën e premte, 31 korrik 2026, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në ish-Burgun e Spaçit, një prej vendeve më simbolike të vuajtjes dhe persekutimit të regjimit komunist në Shqipëri.
Ceremonia u udhëhoq nga Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni, i cili kremtoi Meshën e Shenjtë në ambientet e ish-burgut ku vuajti dymbëdhjetë vite burgim, tortura dhe përndjekje për shkak të besimit të tij. Rikthimi i Kardinalit në Spaç u shndërrua në një moment me ngarkesë të veçantë emocionale, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm të qëndresës, faljes dhe besimit të palëkundur.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve shtetërore, ish-të përndjekur politikë, familjarë të viktimave dhe besimtarë të shumtë, të cilët u bashkuan në lutje dhe reflektim për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që u burgosën, u torturuan dhe u sakrifikuan në mbrojtje të besimit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Pjesëmarrja e Kryegjyshit Botëror Bektashian në këtë ceremoni përbën një shprehje të respektit dhe solidaritetit të Komunitetit Bektashian ndaj martirëve të ndërgjegjes dhe të gjithë atyre që, në periudhën e diktaturës komuniste, u përballën me përndjekjen për shkak të bindjeve të tyre fetare dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut.
Ish-Burgu i Spaçit vijon të mbetet një simbol i kujtesës historike dhe i sakrificës së atyre që paguan një çmim të lartë në emër të lirisë. Ceremonia përcolli mesazhin se ruajtja e kujtesës, nderimi i martirëve dhe edukimi i brezave të rinj me vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor janë detyrime që i përkasin të gjithë shoqërisë.
Aktiviteti u mbyll me homazhe dhe lutje në kujtim të të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe lirinë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.