
Ditën e enjten, 1 tetor 2026, me ftesë të Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Sh.T. Karl Bergner, dhe znj. Ulrike Bergner, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Federale të Gjermanisë.
Veprimtaria u zhvillua në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman në Tiranë, në një atmosferë festive dhe miqësore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe personalitete të ndryshme të jetës publike.
Pjesëmarrja e Kryegjyshit Botëror Bektashian në këtë pritje të rëndësishme përbën një shprehje të vlerësimit për marrëdhëniet e mira ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve.
Në këtë kuadër, prania e Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj përcolli edhe mesazhin e rëndësisë që ka dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor në forcimin e mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë, paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve dhe popujve.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane vlerëson marrëdhëniet e mira me përfaqësitë diplomatike dhe institucionet e Republikës Federale të Gjermanisë, duke i konsideruar ato pjesë të rëndësishme të dialogut, komunikimit dhe bashkëpunimit, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të vlerave të përbashkëta njerëzore.
Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Federale të Gjermanisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane i përcjell popullit gjerman urimet më të përzemërta për paqe, mirëqenie, begati dhe prosperitet.





