Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në takim delegacionin e Qendrës Ndërkombëtare të Përsosmërisë për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, “Hedayah”, të Emirateve të Bashkuara Arabe

Ditën e sotme, më datë 10 gusht 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në takim delegacionin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të kryesuar nga Sh.T.Z. Ali Rasheed Al Nuaimi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Çështjeve të Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar Federativ dhe Kryetar i Qendrës Ndërkombëtare të Përsosmërisë për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Hedayah).
Të pranishëm në takim ishin edhe z. Ahmed Alqasimi, Drejtor Ekzekutiv-Hedayah; z. Khaled Alkaabi, Drejtor Ekzekutiv - Këshilli Botëror i Komuniteteve Myslimane; z. Hasan Almarzouqi, Drejtor Ekzekutiv, Këshilli Botëror i Komuniteteve Myslimane; z. Hazzaa Alqubaisi, Ministria e Çështjeve Presidenciale; znj. Abeer Makki, Menaxhere i Çështjeve Ekzekutive-Hedayah; z. Mubarak Alyafei, Asistent Personal i Sh.T. Z. Ali Rashed Al Nuaimi.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në këtë takim shoqërohej nga z. Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe nga znj. Sheldiana Agaraj, Shefe e Protokollit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Fokusi kryesor i takimit ishte rritja e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Kryegjyshatës Botërore, Këshillit Ndërfetar dhe kësaj Qëndre, në fushën e sigurisë dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Kryegjyshi, duke vlerësuar marëdhëniet miqësore dhe shumë të mira midis dy vendeve tona, shprehu rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet e sigurisë, ku theksoi se takimet e vazhdueshme dhe dialogu i shpeshtë janë instrumente efektivë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, të cilat ndikojnë gjithashtu në mirëkuptimin për çështje të ndryshme. Gjithashtu, Dede Edmond Brahimaj, nënvizoi rëndësinë që ka parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, si një investim jetik për paqen dhe sigurinë, duke sqaruar që legjislacioni shqiptar dhe politikat aktive të qeverisë shqiptare kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë në aspektin parandaluese të luftës kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ai shtoi gjithashtu, se puna në Shqipëri për të parandaluar shkaqet e terrorizmit është përqëndruar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në parandalimin e rekrutimit dhe radikalizmit, që çon në terrorizëm dhe puna e komuniteteve fetare eshte një faktor kyç.
Midis të tjerave, në takim, Kryegjyshi foli për krijimin e KNFSH, bordet (ekzekutiv, gruaja, rinia), ndihmat humanitare, projekti i fundit me GCERF dhe për çdo program ose projekt për luftën kundër ekstremizmit. KNFSH është e hapur dhe bashkëpunuese, bashkëpunimi me CVE dhe memorandumi që kemi nënshkruar ka qënë i frytshëm dhe do të vazhdojë të jetë .
Presidenti i Qendrës Hedayah, Ali Rasheed Al Nuaimi prezantoi fushën e veprimtarisë së Qendrës, e cila në fokus kryesor ka asistencën në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, duke ofruar ekspertizën e kësaj Qendre në këtë fushë. Ai vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe angazhimin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon dhe për këtë arsye e ka filluar vizitën e tij pikërisht me Shqipërinë.