
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përshëndet 81-vjetorin e hapjes së Shkollës Ushtarake “Skënderbej” dhe promimin e volumin e volumit të 5-të të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, të autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla. Për shkak të angazhimeve jashtë vendit, të planifikuara më parë, përshëndetja e Dede Edmond Brahimajt, u përcoll nga dervish Hasan Carkanji.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Në emër të Zotit, Mëshiruesit e Mëshirëbërësit! Të nderuar gjeneralë, të pranishëm në këtë eveniment! Të nderuar drejtues të Akademisë së Mbrojtjes të Forcave të Armatosura! Të nderuar bashkë skënderbegas të brezave të ndryshëm, mësues e komandues të shkollës sonë të lavdishme”Skënderbej”! Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, të gjithëve ju pjesëmarrës në këtë sallë, ju uroj e bekoj nga zemra për më shumë shëndet, dashuri vëllazërore, humanizëm e paqe, për më shumë besim tek i Madhi Zot, për ditë të mira në të ardhmen për ju e familjet tuaja, për kombin. Por ky bekim e urim, ka të veçantën, pasi dhe unë, kam qenë skënderbegas, shok e mik i juaj; u njoh e më njihni. Ndaj kam bindje se ky urim e apel, do të jetë pjesë e moto e angazhimit tuaj në udhën tuaj të jetës. Na ka mbledhur sot volumi i 5-të i kolanës voluminoze të mirëpritur, për historinë e shkollës së lavdishme ‘Skënderbej’ Figura të shquara burra dhe gra që kanë lënë gjurmë e mbresa në këtë shkollë, të cilët janë trajtuar pa iu rënë pluhuri harresës nëpërmjet kolanës disa volumëshe “Skënderbegasit në vite» nga autorët Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. Falënderime e mirënjohje që edhe pse kanë kaluar dekada tashmë janë pikërisht këta autorë të palodhur që e rikujtojnë këtë shkollë e këta ushtarakë që dhanë një pjesë të shpirtit të tyre në misionin patriotik që ndërmorën. Në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian dhe si ish-skënderbegas, jam i lumtur t’iu bekoj e përshëndes, dhe të jem sot mes jush në këtë eveniment të rëndësishëm, mes skënderbegasve, ushtarakëve shqiptarë, shtresës më vitale të shoqërisë sonë, që historikisht, më shumë se kushdo tjetër, kanë qenë e mbeten pjesë e rëndësishme e devizës shpirtërore bektashiane ‘Pa atdhe nuk ka fe”. Sot, në këtë kohë të vështira, unë dua tu bëj dhe një herë apel për unitet, duke shpresuar që fryma e keqe e dasisë që po fryn (dyzohen apo pjesëtohen në shumë copa shoqate e komunitete profesionesh), të mos vazhdoj të prekë dhe komunitetin e skënderbegasve e ushtarakëve. Intuita skënderbegasve, e nuhat më mirë se kushdo të keqen dhe pasojat që sjellë ajo, mos e afrojmë. Urime autorëve. Zoti u bekoftë!
Fotot: Nuri ÇUMANI






