KRYEGJYSHI BOTËROR, SHENTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË TAKIMIN E 30-TË NDËRKOMBËTAR TË BERLINIT

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj po merr pjesë në Takimin e 30-të Ndërkombëtar të Berlinit (International Berlin Gathering), i cili zhvillohet nga 11 deri më 13 qershor 2026 në Berlin të Gjermanisë, me temën “Përgjegjësia përpara Zotit dhe Njeriut”.

Gjatë ditës së parë të aktivitetit, më 11 qershor 2026, Kryegjyshi Botëror mori pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes, ku ishin të pranishëm dhe mbajtën fjalën personalitete të rëndësishme të Bundestagut Gjerman, ndër ta Zëvendëspresidenti i Bundestagut Bodo Ramelow, deputeti Bernd Rützel, Kryetar i Komisionit për Punën dhe Çështjet Sociale, Steffen Bilger, Sekretar i Parë Parlamentar i Grupit CDU/CSU, si dhe Hubertus Heil, deputet i Bundestagut dhe ish-Ministër Federal i Punës dhe Çështjeve Sociale, Z. Toni Gogu Minister i Drejtesise se RSH.

Sipas programit zyrtar të takimit, më 12 qershor 2026, Kryegjyshi Botëror do të mbajë fjalën e rastit në drekën ndërkombëtare, përkrah personaliteteve të tjera politike, fetare dhe akademike nga vende të ndryshme të botës. Ndërkohë, ai do të vijojë pjesëmarrjen edhe në aktivitetet e ditës së fundit, më 13 qershor 2026.

Takimi Ndërkombëtar i Berlinit përbën një forum të rëndësishëm dialogu, ku marrin pjesë deputetë të Bundestagut Gjerman, drejtues fetarë, akademikë, përfaqësues të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, mirëkuptimit ndërfetar dhe promovimin e vlerave të përgjegjësisë, paqes dhe solidaritetit ndërmjet popujve.