MBLEDHJA E SEKRETARËVE TË GJYSHATAVE DHE TEQEVE TË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE

Ditën e mërkurë, 1 korrik 2026, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua mbledhja periodike e sekretarëve dhe dervishëve të Gjyshatave, e drejtuar nga Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Mbledhja u përqendrua në analizën e punës së deritanishme, evidentimin e problematikave administrative dhe përcaktimin e detyrave për periudhën në vijim, me synim forcimin e administrimit institucional, ruajtjen e trashëgimisë historike dhe shpirtërore të Tarikatit Bektashi, si dhe përmirësimin e dokumentimit dhe arkivimit të veprimtarisë së çdo Gjyshate dhe Teqeje.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua edhe organizimit të ceremonisë të Ashures në të gjitha Gjyshatat dhe Teqetë e Komunitetit Bektashian dhe angazhim maksimal për ceremonitë në vijim. Kryegjyshi shprehu mirënjohjen për përkushtimin e treguar nga klerikët, sekretarët dhe besimtarët në zhvillimin me dinjitet të kësaj dite të shenjtë, e cila u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë, frymë paqeje, harmonie dhe solidariteti. U shpreh angazhimi që ceremonia e Ashures të organizohet çdo vit me të njëjtin seriozitet në çdo Teqe, duke u bërë një moment i rëndësishëm i jetës shpirtërore të komunitetit dhe një mundësi për të afruar sa më shumë besimtarët me Zotin, me mësimet e shenjta të Urdhrit Bektashian dhe me vlerat universale të dashurisë, vëllazërisë, tolerancës dhe humanizmit.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua çështjeve të pronësisë. Kryegjyshi kërkoi që të intensifikohet puna për identifikimin, dokumentimin, regjistrimin dhe mbrojtjen ligjore të pronave të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet shtetërore përgjegjëse sipas legjislacionit në RSH dhe shtetet përkatëse ku ka objekte të kultit bektashi. U theksua se mbrojtja e pronës përbën një detyrim institucional dhe historik për garantimin e trashëgimisë së brezave.
Njëkohësisht, u kërkua që të dokumentohet historia e çdo Gjyshate dhe Teqeje, të përgatiten biografitë e klerikëve dhe të hartohen materiale për baballarët e ndjerë që kanë dhënë kontribut të shquar në historinë e Komunitetit Bektashian, duke krijuar kështu një fond të plotë historik dhe arkivor me rastin e 35 vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane pas periudhës së komunizmit.
Kryegjyshi kërkoi gjithashtu që të vazhdojë puna për regjistrimin e besimtarëve bektashianë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si një proces i rëndësishëm për organizimin institucional dhe zhvillimin e mëtejshëm të Komunitetit Bektashian.
Në përfundim, Kryegjyshi falënderoi të gjithë sekretarët, dervishët dhe bashkëpunëtorët për përkushtimin e tyre në shërbim të besimit dhe të institucionit, duke i ftuar të vazhdojnë punën me përgjegjësi, unitet dhe frymë bashkëpunimi, në funksion të ruajtjes së vlerave shpirtërore, historike dhe kulturore të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.