Ndahet nga kjo botë, Ydrije Qosja

Sot në mëngjes, u nda nga kjo botë, myhibja Ydrije Qosja. E fundit nga tetë fëmijët e familjes Bardhi, Ydrija, qysh në fëmijëri, në fshatin Lusën të Kukësit, do të rritej me frymën bektashiane dhe dashurinë e prindërve, Hanes  dhe Sinanit. Në këtë frymë u rritën të tetë fëmijët, por sigurisht midis tyre, ai që do të zgjidhte rrugën e sakrificave, ishte dede Reshat Bardhi, i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror.
Myhibja e urtë Ydrija, do të lidhte jetën më z. Adem Qosja, një tjetër pinjoll bektashian, nip i baba Hajdar Qënckës, i cili dha kontribut të spikatur në krijimin e komunitetit bektashian shqiptar dhe frymën kombëtare.
Gjatë gjithë jetës së saj shpirtërore, qysh kur mori dorë dhe deri në rrahjen  e fundit të zemrës, Ydrija, ruajti dhe personifikoi tiparet më të vyera të një myhibeje. Në mënyrë të veçantë, kontributi i saj, do të dukej në vitin 1992-1996, atëherë kur Selija e Shenjtë Bektashiane kishte aq shumë nevojë, për t`u shndërruar nga një azil pleqsh, në objekt të rëndësishëm kulti. Së bashku me dhjetëra myhibe dhe myhibanë, ajo vuri supin punëve fizike, me devocionin e thellë në rrugën e Hakut.
Ydrije Qosja, deri në momentet e fundit të kësaj jete, përmes besimit të palëkundur tek Krijuesi, lindi e rriti një familje të denjë, duke lënë pas kujtime të pashlyera.
Të qoftë dheu i lehtë, motra jonë e Hakut!
Zoti të bekoftë! Amin!