PËRKUJTOHET 25-VJETORI I NDARJES NGA JETA, I BABA BAJRAM MAHMUTAJT

Ditën e djeshme, 27 prill 2022, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u bë ceremonia dhe ritet përkatëse, me rastin e 25 vjetorit të kalimit nga jeta të Zëvendëskryegjyshit Botëror të Bektashinjve, baba Bajram Mahmutaj. Në këtë aktivitet morën pjesë klerikë bektashian, drejtues e përfaqësues të institucioneve të feve të tjera  në Tiranë, familjarë të klerikut të njohur Mahmutaj, myhibë e besimtarë. Sipas njoftimit zyrtar që parapriu këtë ecvent, ritet e përkujtimit të -25 vjetorit të kalimit nga jeta, të Zëvendëskryegjyshit Botëror të Bektashinjve, baba Bajram Mahmutaj, përfshiu: Nga ora 10:00 deri ora 16:00, pritje dhe homazhe në Selinë e Shenjtë-Tiranë; në orën 17:00, në ambientet e Muzeut të Bektashizmit, u bë ceremonia përkatëse në kujtim të baba Bajram Mahmutaj; përshëndetja e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; përshëndetja e Valentina Toro-Ndreu, trashëgimtare e familjes së klerikut; ndjekja e filmit dokumentar të RTVSH, kushtuar baba Bajram Mahmutajt;  vizita e ekspozitën fotografike ”Jeta dhe vepra e baba Bajram Mahmutaj“ dhe Iftari, i shtruar për të pranishmit, nga Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Në fjalën e Tij, ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tiij, Haxhi Dede Edmond brahimaj, theksoi: “...Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit Të nderuar klerikë! Të nderuar myhibë e besimtarë të pranishëm sot në këtë event, përkujtimin e 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të baba Bajram Mahmutajt, ish-Kryegjysh Botëror i Bektashizmit! Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, ju falënderoj ju për praninë, ju bekoj e uroj më shumë shëndet, paqe e dashuri vëllazërore, më shumë solidaritet e bamirësi, më shumë shpresë e besim tek i Madhi Zot! Përkujtimi i ndarjes nga jeta të vëllait tonë, baba Bajramit, ashtu si dhe në evente të tjera të kësaj natyre, nëpërmjet të cilave, Selia e Shenjtë Bektashiane ka krijuar një traditë që pasurohet vazhdimisht, ne jo vetëm vlerësojmë kontributin e klerikëve bektashinj në udhën e Haxhi Bektash Veliut, si udhëheqës shpirtëror e atdhetarë, por synojmë të afrojmë sa më shumë bashkudhëtarë- vëllezër në familjen bektashiane, në mënyrë që kjo jetë kalimtare të jetë sa më e paqtë e me harmoni shpirtërore. Baba Barjami lindi 18 maj të vitit 1906, në fshatin Rabije të Tepelenës, ku kishte një teqe, e themeluar nga baba Aliu që në shek XVI. Prindërit e tij ,Sadik e Merushe Mahmutaj ishin me ishin të përkushtuar tek bektashizmi. Xhaxhai i tij, baba Muharremi, në vitin 1890, hapi teqenë, në fshatin Plashnik të Beratit. Në vitin 1927, Bajram Mahmutaj, u vesh dervish. Tashmë, dervish Barjami gjeti tek  baba Muharremi, prindin, edukatorin, mësuesin, teologun, atdhetarin shqiptar, duke krijuar një bazë teorike e praktike të shëndoshë, jo vetëm si klerik bektashian, por dhe si misionar shoqëror e atdhetar. Pas kalimit nga jeta të baba Muharremit, në vitin 1929, deri në vitin 1945, ai  drejtoi teqen e Plashnikut. Ky vit, do të shënonte fillimin e një kalvari të vështirë, pasi nën akuzën e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar, drejtësia e kohës e dënoi me 15 vite heqje lirie. Pas kryerjes së dënimit, ai i nënshtrohet një internimi në Milot, kalvar i cili merr fund me ndryshimet politike të vitit 1990 dhe rifitimin e lirisë fetare e rihapjen e institucioneve të besimit. Në vitin 1991, ai u bashkohet nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore  Bektashiane dhe  ndjeu rilindje kur më 22 mars të vitit 1991,  me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, u rihap Kryegjyshata Botërore Bektashiane me Selinë e saj, këtu ku jemi sot.  Duke qenë pranë Dede Reshatin, ai kontribuoi për riorganizimin e ri klerikal, strukturor, organizativ, ringritjen e teqeve dhe tyrbeve në Shqipëri, por edhe në lidhjen me teqet e tjera në botë. Kështu ai, bëri vizitë në  ish-Qendrën Botërore në Turqi, Haxhi Bektash, ndërsa rreth një vit (1992 )qëndroi në teqenë e Detroidit në SHBA. Baba Bajrami ndërroi jetë në 30 prill të vitit  1997 në moshën 91 vjeçare. Ai mbetet kleriku i devotshëm i bektashizmit. Pas ndarjes nga kjo jetë, ai ëshët dekoruar me “Pishtar i  Demokracis” me motivacion: “I pa përkulur dhe me besimin ndaj Zotit duroi burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”. Por, baba Bajram Mahmutaj, ndonëse pësoi drama të vështira në jetë, ka lënë gjurmë aty ku punoi e jetoi, ishte dhe mbetet një klerik i përkushtuar.
Edhe ky takim në përkujtim të ndarjen nga jeta mbi tokë të tij, kjo ekspozitë fotografike që kemi përgatitur edhe e ndjekim së bashku, edhe fjalët e bisedat për ‘të e rreth tij, janë mesazhe për domosdoshmërinë e besimit në Zot, në udhën tonë të paqtë, mesazhe për dashuri e harmoni vëllazërore, për të cilat sot, pas pandemisë që ende nuk jemi çliruar plotësisht; dramave të luftës në Ukrainë dhe vështirësive të jetës së përditshme, kemi nevojë më shumë se kurrë! Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!
Në vazhdim, përshëndeti të pranishmit, znj. Valentina Toro-Ndreu, përfaqësuese e familjes Mahmutaj. Ndër të tjera, ajo falënderoi Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, për organizimin e këtij aktiviteti, në vlerësim të kontributit dhe aktivitetit të baba Bajram Mahmutaj. Në vazhdim, znj. Valentina, u ndal në detaje interesante të vuajtjes fizike e shpirtërore të baba Bajramit, gjatë 15-viteve të burgimit në monizëm, kohës që ishte i internuar në veri të vendit si dhe angazhimin e tij në ringritjen e bektashizmit pas ndryshimeve politike të vitit 1990 dhe punën për ringritjen  e institucioneve bektashiane brenda e jashtë Shqipërisë.
Me mjaft interes, në vazhdim të aktivitetit, ishte ndjekja e një ekspozite të pasur fotografike, përgatitur nga Nuri Çuni, që njëkohësisht shërbeu dhe si rrëfyes i elementëve të saj, për të pranishmit. Në fund të aktivitetit, të pranishmit ishin bënë teljen e iftarit, organizuar me këtë rast, nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Përgatiti:
Kujtim BORIÇI

Fotot: Nuri ÇUMANI