
Sot përkujtojmë Baba Qamilin, klerikun bektashian që shërbeu me përkushtim në Teqenë e Melanit, duke vijuar dhe ruajtur traditën shpirtërore bektashiane në këtë vatër të rëndësishme të besimit dhe harmonisë ndërfetare.
Teqeja e Melanit, e themeluar në vitin 1869 nga Baba Ali Haqi, përfaqëson një nga qendrat me vlera të veçanta historike, kulturore dhe fetare të krahinës së Gjirokastrës. E ngritur mbi rrënojat e një kalaje të lashtë ilire, ajo ka qenë ndër vite një vatër e rëndësishme e besimit, mikpritjes, tolerancës dhe përhapjes së vlerave bektashiane.
Baba Qamili, i cili drejtoi teqenë pas Baba Sejfullah Kukës, deri në vitin 1943, la gjurmë në vazhdimësinë e jetës shpirtërore të këtij komuniteti, duke kontribuar në ruajtjen e traditës dhe forcimin e lidhjeve me besimtarët e zonës.
Pavarësisht vështirësive historike, përndjekjeve dhe mbylljes së objekteve fetare gjatë regjimit komunist, Teqeja e Melanit u rihap në vitin 1996, duke rifituar rolin e saj si një vend i shenjtë dhe simbol i qëndresës së besimit.
Sot, kujtimi i Baba Qamilit dhe i klerikëve që shërbyen në këtë teqe mbetet pjesë e çmuar e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe historike.
Nderim dhe mirënjohje për figurat që i shërbyen besimit, paqes dhe harmonisë ndërfetare!








