PJESËMARRJA E QENDRËS BOTËRORE BEKTASHIANE NË NGJARJEN E KEK-SË MBI PLANIN E RRITJES SË BE-SË

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mori pjesë në një ngjarje të rëndësishme të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KEK) në bashkëpunim me Komitetin Evropian të Religjoneve dhe Drejtoritë e Përgjithshme të Këshillit Evropian për Rajonet Evropiane, ku u prezantuan ide dhe pikëpamje të ndryshme mbi Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, me fokus politikat e kohezionit. Ai u fokusua në rëndësinë e harmonisë fetare dhe rolin që feja mund të luajë në politikat kohezionit, duke theksuar mundësinë për të shndërruar Shqipërinë në destinacionin unik të turizmit religjioz dhe tolerancës fetare, po ashtu prezantoi mundësinë e zhvillimit të zonave me kulte fetare etj.
Në fjalimin e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, theksoi se toleranca fetare dhe politikat e kohezionit janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqësor të një shoqërie. Ai po ashtu propozoi se Shqipëria mund të bëhet një model unik në Evropë sa i përket tolerancës fetare duke promovuar turizmin religjioz, kjo duke përdorur pasurinë e saj kulturore dhe trashëgiminë e gjerë të besimeve të ndryshme fetare që jetojnë në harmoni.
Në veçanti, Kryegjyshi Botëror Bektashian, theksoi rëndësinë e zhvillimit të zonave të pashfrytëzuara dhe kufirit, maleve e zonave ku zhvillohet pelegrinazh duke promovuar paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën. Ai shtoi se investimet në këto zona mund të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe të rritjes ekonomike për komunitetet vendase. Hapa të tilla, jo vetëm që janë në një vijë me traditën bektashiane, por theksojnë edhe më tepër atë çka na karakterizon për shkak të besimit, nëpërmjet tolerancës fetare e promovimit të saj në çdo nivel, ruajmë jo vetëm harmoninë ndërfetare, por edhe jemi një faktor kyç për sigurinë, paqen e stabilitetin në rajon.
Pjesëmarrja e Qendrës Botërore Bektashiane në këtë ngjarje tregon angazhimin në përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar. Kryegjyshi Botëror, Edmond Brahimaj shprehu besimin e Tij se nëpërmjet bashkëpunimit dhe harmonisë fetare, mund të ndërtohet një e ardhme e ndritshme jo vetëm në Ballkan e Evropë por dhe më gjerë.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ