Sot, përkujtohet 161-vjetori i themelimit të teqesë së njohur të Alipostivanit në Përmet. Teqeja e Alipostivanit është ndërtuar në një kodër dominuese që shikon luginën e Vjosës dhe malin e Nemërçkës, në fshatin Alipostivan, pjesë e Njësia Administrative Qendër, Piskovë, Bashkia e Përmetit.
Në një kodër të bukur, teqeja rrethohet me një gjelbërim me lisa dhe mare të përfund dhe pemë të tjera,. Historikisht këtu ka ardhur herët misionar, baba Aliu, që përhapi në fillimet e para bektashizmin. Është themeluar si teqe nga Abdullah Babai. Mund të jetë ndërtuar, rreth vitit 1860, një teqe mesatare dhe varej nga gjyshata e Gjirokastrës. Abdullah Babai dhe baba Dule Përmeti, kanë përkrahur dhe marrë pjesë në të gjitha lëvizjet dhe mitingjet për gjuhën shqipe në vitet (1908 – 1909). Kanë shërbyer në vite tek kjo teqe, baba Meleqi, baba Hyseni, baba Hajdari, baba Nazifi etj… Ajo ka lozur një rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit në zonën e Dëshnicës dhe fshatrat kufitar të Skraparit. Historia e teqes Alipostivan lidhet edhe me bashkëpunimin e ngushtë me teqenë e Frashërit. Historia e saj është e njohur për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave bektashiane. Është djegur nga andartët grekë në vitin 1914 dhe është rindërtua në vitin 1920. Në vitet 1955-1956, tek kjo teqe kanë shërbyer baba Hajdar Hodo dhe dervish Selfo Mersini. Në vitin 1963, shërbente baba Hajdar Xhafer Kajo dhe në vitin 1967, baba Hajdar Hado dhe dervish Qamil Metushi. U mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në maj të vitit 2003. Është ringritur dhe restauruar kohët e fundit dhe sot, kjo ndërtesë madhështore dhe e kompletuar me të gjitha mjediset e saj funksionale, ku të bie në sy ndërtesa e re e teqesë, tip kupolë me ambiente të bollshme karakteristike bektashiane. Tyrbet dhe teqeja me natyrën përreth, krijojnë një nga bukuritë e veçanta në luginën e Vjosës. Është një mrekulli e natyrës dhe teqesë me mjediset e saj. Është ringritur plotësisht nga baba Hekuran Nikollari, i cili drejton këtë objekt të rëndësishëm bektashian.