U ZHVILLUA CEREMONIA TRADICIONALE BEKTASHIANE, NË MALIN MISTIK TË TOMORRIT

Atmosfera e paqtë bektashiane në ditët e pelegrinazhit madhështor bektashian në Malin Mistik të Tomorrit, (21-25) u reflektua dhe të hënën, datë 22 gusht 2022, në mjediset e teqesë, me pjesëmarrje masive klerikësh, besimtarësh, funksionarësh shtetërorë e dashamirës, por dhe  nga Maqedonia Veriore, Kosova e shtete të tjera ku jetojnë e punojnë komunitete bektashiane. E veçanta e pelegrinazhit të këtij viti, ndryshe nga ata paraardhës, ishin masat që ishin marrë, që nga prezenca e rrugës së re, të asfaltuar, shtimi i mjediseve të akomodimit e shërbimit në teqenë e Kulmakut, krijimi i kushteve të pritjes e kryerjen e riteve përkatëse nga pelegrinët, deri dhe tek shërbimi i plotë shëndetësor e furnizimi materialo-teknik. Për të gjitha këto, erdhën si pasojë e kujdesit të vazhdueshëm të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Dede Edmond Brahimaj dhe punës së bërë nga administrata e gjyshatës e sekretari i saj, Zalo Qato. “...Pelegrinazhi i këtij viti, qe më i organizuar, me masa më të mira dhe me një përkujdesje më të madhe nga ana jonë dhe gjyshatës vendase. Një punë të lavdërueshme që nga bashkëpunimi e mbështetja konkrete, kanë dhënë dhe Prefektura e Qarkut Berat, Bashkia e Skraparit dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit, që unë i falënderoj dhe i bekoj..”- pohoi mes të tjerave Dede Edmond Brahimaj, i cili gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit, qëndroi mes besimtarëve në Malin e Tomorrit.
CEREMONIA
Përveç besimtarëve të shumtë, në ceremoninë përkatëse, klerikëve bektashianë e të besimeve të tjerë fetarë, ishin dhe Valbona Zylyftari, Prefekte e Qarkut të Beratit, Klodian Buku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, Adriatik Mema, Kryetar i Bashkisë Skrapar etj..
Ceremoninë e hapi Zalo Qato, Sekretar i Gjyshatës së Skraparit, i cili falënderoi të pranishmit dhe prezantoi shkurtimisht investimet dhe punën që kishin bërë gjatë një viti, në fushën e investimeve në këtë objekt të shenjtë dhe krijimin e kushteve sa më të mira për  pritjen e pelegrinëve. Në vazhdim, përshëndetën Dede Edmond Brahimaj, Klodian Buku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet etj....
KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ
“Të nderuar vëllezërit e mijë klerikë bektashianë e të besimeve të tjerë fetarë, të pranishëm në këtë aktivitet tradicional vjetor! Të nderuar përfaqësues të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë! Të nderuar besimtarë bektashianë të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Kosova, shtete të ndryshëm të Europës, deri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Së pari, u falënderoj të gjithëve që keni rrugëtuar për të ardhur sot në malin mistik të Tomorrit, për të qenë së bashku në këtë pelegrinazh historik. Zoti i Madh qoftë i kënaqur me përkushtimin tuaj, dashurinë dhe adhurimin ndaj Tij, dhe u plotësoftë të gjitha dëshirat që keni ju dhe familjet tuaja! Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, unë dua tua tu përshëndes nga zemra dhe tu bekoj  të gjithëve ju që e keni populluar sot këtë vend të shenjtë, i bindur se ky numër i madh besimtarësh e dashamirësish, ky gëzim që shoh në sytë e zemrat e secilit, do të na bëj më njerëzorë, më të dashur, do të na afroj më shumë me Krijuesin,  nga ku gjejmë shpresën për zgjidhjen e halleve e brengave tona dhe ardhjen e ditëve më të mira në këtë botë të trazuar sot.  Duke kryer së bashku ritet e kësaj feste tradicionale bektashiane, duke bashkëbiseduar me njeri-tjetrin, duke u përulur plot mirënjohje dhe krenari, përpara mezareve të dervishëve dhe baballarëve bektashianë, të cilët e mbajtën të  gjallë në shekuj frymën e lirisë dhe të besimit në Zot, do të marrim më shumë energji, besim e shpresë. Fare pranë nesh, në lartësinë e Çukës, ne kemi shenjtorin tonë Abaz Aliu, për të cilin është thënë e do të thuhet në përjetësi ndër shekuj, i cili, pavarësisht legjendave që tregohen,  për ne ai është dhe do të mbetet një realitet i mrekullueshëm i burrërisë përpara frikës, i jetës përpara vdekjes, i pastërtisë shpirtërore përballë shpurës së jezidëve, i të vërtetës përballë gënjeshtrës. Ai ka qenë dhe do të mbetet modeli i burrit dhe i trimit që u identifikua deri në fund me vetë ndërgjegjen e shkëlqyer të Imam Hysejnit, paqja e Zotit qoftë me ‘Të! Emri dhe vepra e Abaz Aliut, i kanë falur këtij kryemali të shqiptarëve, jo vetëm shenjtërinë e historisë, por edhe vlera të jetës që kemi jetuar dhe jetojmë. Jeta e Abaz Aliut, sikundër jeta dhe vepra e krejt dervishëve dhe baballarëve tanë nëpër vite, është një model për çdo besimtar, për çdo ndjekës dhe dashamirës të udhës së ndritur të Haxhi Bektash Veliut. Siç e dini, Shqipëria por dhe bota mbarë, po kalon situata të vështira këto kohë, varfëri, venitje shprese, pandemi shoqëruar me viktima, probleme ekonomike e financiare, deri luftëra të përgjakshme, siç është ajo në Ukrainë. Duke paqëtuar shpirtrat tanë si besimtarë e dashamirës, duhet ti bashkohemi apelit për dashuri e paqe, respekt njerëzor e bamirësi, tu bëjmë apel shtetarëve kudo që janë, të shmangin gjuhën dhe mjetet e dhunës, ti thërrasin arsyes njerëzore e të përulen para Krijuesit e të bëjnë gjithçka që kjo situatë të vështirë, të marrë fund sa më shpejt. Ne bektashinjtë që kemi devizën tonë “Pa atdhe nuk ka fe’, kemi qenë dhe jemi gjithmonë në krahun e së mirës, ndaj kemi të drejtën tonë morale që ta bëjmë këtë apel e të kërkojmë ta dëgjoj gjithkush. Na duhet paqja, dashuria e respekti i ndërsjelltë, e për këtë duhet të angazhohemi të gjithë, sejcili sipas aftësive. Ne vijmë çdo vit këtu në Tomorrin e Shenjtë në ditët e pelegrinazhit, e konstatojmë se nga viti në vit, numri i pelegrinëve është në rritje. Po ashtu dhe kushtet nga gjyshata e Skraparit, kanë ardhur duke u përmirësuar. Unë falënderoj me këtë rast sekretarin e gjyshatës, Zalo Qaton dhe të gjithë ata që kanë punuar e kontribuar në këtë drejtim. Zoti u bekoftë! Amin!”
KLODIAN BULKU, KRYETAR I KOMITETIT SHTETËROR TË KULTEVE
I nderuar Hirësi, Haxhi Dede  Edmond Brahimaj, Të dashur besimtarë, miq dhe pjesëmarrës
Numri i madh i të pranishmëve në këtë pelegrinazh të Ditëve të Tomorrit, për të nderuar  Abaz Aliun dhe për t’iu dedikuar këtij vendi të bekuar, tregon kaq shumë për dëshirën dh e natyrshmërinë njerëzore për të jetuar në begati, paqe dhe harmoni. Është pikërisht kjo harmoni, karakteristikë tipike tek ne shqiptarët, shprehje e vullnetit të një besimi të qëndrueshëm në Zot dhe përpjekjeve titanike shekullore për t’na mbajtur të lidhur si komb. Ne  gjithmonë kemi ditur të jemi vëllezër në çështjet kombëtare duke e dashur dhe respektuar njëri-tjetrin pavarësisht përkatësisë fetare. Njësoj si shembulli i figurës së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë, simbol i trimërisë dhe shpirtit luftarak,  i cili bazuar në vlerat dhe virtytet më të larta morale, u bë simbol i ndershmërisë dhe i sakrificës. Sot, kur sheh të mbledhur pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Rajoni e Bota, bektashinj dhe jo vetëm, kupton se sa e rëndësishme është të jesh i ndriçuar nga këto vlera, të cilat duhet t’ia përcjellim edhe brezave për të ardhmen, për tu bërë më të mirë për veten, familjen dhe vendin e tyre. Për mua personalisht është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë aktivitet fetar dhe në emër të Komitetit Shtetërorë për Kultet si institucioni që përfaqëson Shtetin në marrëdhëniet me bashkësitë fetare, ju përshëndes dhe ju falënderoj të gjithë, për kontributin dhe mesazhet pozitive, që përcillni çdo ditë për të mirën e vlerave të përbashkëta të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë Botën. Shteti shqiptar, në vazhdimësi ka mbështetur dhe do të mbështesë veprimtari të tilla fetare duke treguar kujdes të veçantë për aksesin e objekteve të kultit që kanë një rëndësi më të madhe, veçanërisht në vende ky kryhen pelegrinazhe fetar, dëshmi e së cilës është edhe kjo rrugë që të sjell deri këtu. Një falënderim të veçantë meritojnë edhe institucionet shtetërore, ato vendore dhe qendrore që gjithmonë janë në gatishmëri për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve fetare.  Duke ju lënë të përjetoni plotësisht emocionet e këtij vendi të bekuar, ju uroj gëzuar dhe për shumë vjet festën. Faleminderit!”
*                                *                             *
Aktiviteti u dha direkt nga disa televizione të vendit dhe atë ditë e në vijimësi, u pasqyrua gjerësisht në mediat e shkruara e ato televizive të vendit dhe të huaja. Pas ceremonisë e në vijimësi, vazhdoi pa ndërprerë koncerti i përgatitur enkas për këtë festë, ku interpretimit të këngëtarit të njohur Dule Malindi, iu bashkuan këngëtarë të tjerë shqiptarë e valltarë të trevave të ndryshme të vendit. Ritet, pelegrinazhi dhe gjithë aktiviteti ku në këto dit morën pjesë qindra mijë pelegrinë, ishte një festë e mrekullueshme bektashiane, që nga viti në vit, bëhet më masive e më e bukur.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI