ZHVILLOHET MBLEDHJA E KLERIKËVE DHE SEKRETARËVE TË GJYKATAVE BEKTASHIANE

Ditën e martë, 28 prill 2026, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvillua një mbledhje me sekretarët dhe klerikët e Gjyshatave Bektashiane, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Kjo mbledhje u organizua në kuadër të analizës së veprimtarisë së strukturave bektashiane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, për tremujorin e parë të vitit, si dhe në funksion të planifikimit të aktiviteteve për 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Gjyshatave në Shqipëri.

Në takim morën pjesë përfaqësues, sekretarë dhe klerikë nga Gjyshatat Bektashiane të Elbasanit (Z. Olsi Karaj), Krujës (Z. Sadik Balla), Vlorës (Z. Dragush Lila), Gjirokastrës (Z. Xhanin Koli) dhe Skraparit (Z. Zalo Qato). Gjithashtu, të pranishëm ishin përfaqësues nga Gjyshata e Kosovës, Teqeja e Gjakovës (Dervish Rauf Radoniqi), si dhe nga Gjyshata e Maqedonisë së Veriut, Teqeja Harabati Baba në Tetovë (Dervish Abdylmytalib Beqiri).

Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues nga një sërë teqesh, ndër të cilat: Teqeja “Reshat Dede Baba” Sarandë (Sekretar Gazmir Sharra), Teqeja e Shemberdhenjit Gramsh (Dervish Xhelal Resuli), Teqeja e Melçanit Korçë (Z. Dejvi Pronjari), Teqeja e Turanit Korçë (Nuri Muçollari), Teqeja e Turanit Tepelenë (Dervish Mikel Onjea), Teqeja e Bllacës (Z. Bektash Jangulli), Teqeja e Ballenjës (Z. Adrian Koxheri) dhe Teqeja e Alipostivanit (Z. Fation Skenderi).

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe përfaqësues të administratës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, përfshirë punonjësen e zyrës së protokollit dhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Gjatë mbledhjes, një vëmendje e veçantë iu kushtua analizës së detajuar të aktivitetit ekonomik dhe financiar për tremujorin e parë të vitit. U paraqitën raportime mbi realizimet, menaxhimin e burimeve, si dhe sfidat e hasura në çdo teqe dhe tyrbe që administrohet nga Gjyshatat përkatëse.

Në vijim, diskutimet u përqendruan në planet e punës për muajt në vazhdim, duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Gjyshatave dhe forcimit të mëtejshëm të strukturave organizative. Një theks i veçantë iu vu edhe çështjeve të pronësisë dhe procesit të legalizimeve, të cilat mbeten ndër sfidat kryesore të institucionit.

Në përmbyllje, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve vlerësoi angazhimin dhe kontributin e të gjithë pjesëmarrësve, duke i inkurajuar ata për një përkushtim edhe më të madh në shërbim të besimit, komunitetit dhe ruajtjes së vlerave të shenjta bektashiane.

Kjo mbledhje shërbeu si një platformë e rëndësishme koordinimi dhe reflektimi, duke forcuar unitetin dhe vizionin e përbashkët për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve bektashiane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

Fotot: Nuri ÇUMANI