484-vjetori i themelimit të teqesë bektashiane “Harabati Baba”, Tetovë

Ditën e hënë, më datë 7 shkurt 2022,  për miliona bektashinj në botë, është një ngjarje e rëndësishme, përkujtohet 484- vjetori i ngritjes së teqesë bektashiane të Tetovës, “Harabati Baba” , Maqedonia e Veriut,  nga kleriku Seresem Ali Dede.
Përhapja e kulturës islame në Tetovë dhe rrethinat e saj në shekujt XV-XVI pati zhvillimin e vet në shumë fusha të kulturës, ekonomi, në sferën politike, ushtarake, fetare dhe la gjurmë në vet zhvillimin historik në vitet e mëvonshme të pashallëkut të Tetovës. Kur në shekullin e XVI sundoi  Sulltan Sulejmanit Kanuni pati përparim të madh në shumë sfera të jetës dhe përbën kulmin e e ngritjes së kësaj perandorie. 
Nga burimet historike, mendohet se Sersem Ali Dede, ka lindur nga çereku i fundit i shekullit XV, aty rreth viteve 1475, në kohën e Ballëm Sulltanit, Pirit të Dytë të bektashizmit. Ai lindi në këtë periudhë të lulëzimit të perandorisë osmane. Sigurisht, përbërja familjare dhe prindërit e tij, i dhanë mundësi të ketë lidhje familjare me oborrin perandorak, pasi ishte kunati i Sulltan  Kanunit, ishte martuar me motrën e tij, Mahidevranen. Në këto kushte, ai mori kulturën e lartë, u pajis me virtyte të larta morale, intelektuale e me dituri të gjerë. Ai u shkollua në Enderun dhe ishte shok fëminijjërie me Sulltan Sulejmanin. Ai arriti poste të larta të perandorisë osmane deri në vezir, në kohën e sundimit të tij. Por pas ngjarjeve me motrën e tij, e cila ishte grua e Sulltanit, Sersemi iu përkushtua bektashizmit. Në vitin 1520, shkoi në Haxhi Bektash, ku u dorëzua me gjithë shpirt dhe me përkushtim, arriti shkallën e përsosmërisë, në shkollën dhe përgatitjen për klerikë bektashian, në traditën e krijuar nga Ballëm Sulltani. U gradua dervish dhe baba e, pas disa vitesh, shkoi në teqenë Jenixhe në Vardar, ku qëndroi deri në vitin 1534. Pas vdekjes së baba Hajretit, shkoi në teqenë e Dimotekës, e cila ishte qendër e rëndësishme e bektashizmit. Këtu studioi literaturën e dervishëve dhe shkroi shumë poezi bektashiane. Ai ishte teolog i shquar, një mistik i njohur i kohës, filozof, poet. Krijimtaria letrare, filozofike, fetare, arti e tjera, të Sersem Ali Dede, lanë gjurmë në Rumeli. Këtu mori mision për përhapjen e bektashizmit në Ballkan, ku Sersemi zgjodhi trevën e Pollogut. I nisur nga ky mision dhe qëllim për bektashizmin, në vitin 1538, filloi ngritjen e teqe së “Harabati Baba”, në periferi të Tetovës. ku vazhdoi deri në vitin 1548. Për ngritjen e kësaj teqeje, Sersemi, harxhoi shumë të holla Përn dërtimin e këtij kompleksi të madh dhe tërë pasurinë ,e linte pas vete, një përshpirtje, permendore, e cila do të dëshmonte për jetën dhe veprën e tij. Do mbante emrin teqeja “Harabati..” ose Godinë shenjtërie, tempull i bektashizmit. Krahas ngritjes së teqesë, Sersemi solli nga teqetë e tjera të Stambollit, Dimotekës  15 dervish përkryerjen e shërbimeve dhe predikimeve fetare të nevojshme duke i përgatitur ata edhe si baballarë që të shërbejnë në teqetë e tjera. Ndër klerikët e njohur nga kjo qendër, që predikojnë në teqetë e tjera përmënden:  Kazëll Baba, Balli Baba, Kojun Baba, Javer Baba, Sadredin Baba e shumë të tjerë. Në vitin 1551, ai shkoi në Haxhi Bektash ku e zgjodhën Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Këtu zhvilloi më tej njohuritë e tij në fushën e  teologjisë dhe filozofisë, letërsisë, të kulturës islame duke vazhduar rrugën e Ballëm Sulltanit, në traditën, përpunimin dhe interpretimin e normave dhe rregullave të doktrinës bektashiane. Ndërroi jetë në vitin 1569. Kështu, në shekullin e 16-të, u bë një nga mistikët e njohur të kohës. Në shkrimet e veta, studimet analizat dhe përshkrimet, niset nga njeriu dhe motoja e tij ishte që njeriu më parë duhet të njohë vehten, se duke njohur vehten e tij, mund të njohë natyrën, botën, ndikimin hyjnor, të njohë fuqinë e Zotit.  Sersemi, vargjet e veta poetike, i fillon me evokime të drejtuara udhërrëfyesve të vet, Haxhi Bektash Veliut dhe Ballëm Sulltanit. Ja si shkruan ai:
“Shtat’ pal’ botët me gjith’ qoshet, fund e krejt un i shëtita,/
Duke thirrur: O Pir’i im! O Hynqar Haxhi Bektash!/
Më në fund tek praku i tij u përunja dhe arrita,/
Duke thirrur: O Pir’i im! O Hynqar Haxhi Bektash!/
“Dhe Ballëmi, qoshk’ e Tija e kan gritur po qëndron,/
Gjithë Engjujt shërbejnë, i plotësojnë ç’u kërkon,/
Në shtatë botët me gjith’ këndet, zër’i tyre po gjëmon,/
Duke thirrur: O Pir’i im! O Hynqar Haxhi Bektash!”
Ai mbetet një klerik i lartë i shquar, mistik, teolog, filozof, poet.  Sersem Ali Dede i dha bektashizmit në Ballkan, një zhvillim të ri në shekullin e XVI-të,  sepse qendra e teqe së “Harabani Baba´ në Tetovë, u kthye në përhapjen e forcimit të bektashizmit dhe ndikoi edhe në Shqipëri. Këtu u përgatitën shumë dervishë dhe baballarë, të cilët u shpërndan në teqetë e Ballkanit. Ne, sot themeluesin e teqesë Harabati Baba, e për kujtojmë në këtë përvjetor të rëndësishëm, si figura madhore e një personaliteti të lartë, që i dha emër bektashizmit, ai do të mbetet i paharruar në historinë e bektashizmit botëror.
Të tjera hollësi për e rreth teqesë “Harabati Baba“-Tetovë.
Godina e teqesë “Harabati Baba” dhe kleriket e saj në vite.
Teqeja “Harabati Baba” , u themelua në Tetovë të Maqedonisë nga Sersem Ali Dede më 1538. Ai solli 15 dervishë dhe e mbaroi këtë tempull madhështor, në vitin 1548. Në shek. XVI, në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit, ai ishte edhe zyrtar i lartë i perandorisë osmane, vezir. Ai ishte teolog i shquar, një mistik i njohur i kohës, filozof, poet. Krijimtaria letrare, filozofike, fetare, arti e tjera, të Sersem  Ali Dede lanë gjurmë në Rumeli. Në vitin 1551, ai zgjidhet Kryegjysh Botërori i Bektashizmit, Sersem Ali Dede, detyrë në të cilën qëndroi deri sa kaloi nga jeta (1569). Gjatë kësaj periudhe nuk kemi të dhëna të shkruara, për teqen e Tetovës. Por ajo u rimëkëmb në kohën e pashallëkut të Tetovës, në kohën e Rexhep Pashës e Abdurraman Pashës, periudhë në të cilët erdhën klerikët bektashian: Baba Mehmet Harabati (deri 1780),  Dede Hyseni (deri 1784 ), baba  Sadiku ( deri 1789),  Dede Hasani (deri 1793) Ahmet Ekmeçiu (deri 1799) që e pasuroi teqen me prona të fuqishme, baba Hyseni i dytë (deri 1818), Dede Aliu (deri 1833), Haxhi Baba Emini (deri 1880). Në shekulli XVI teqeja e Tetovës, u bë qendër  e rëndësishme kulturore në periudhën e pashallëku. Këtu mori shtysë të fuqishme jeta intelektuale e qytetit të Tetovës me rrethinat, elementi kombëtar nga shtresat tregtare, zejtare, klerikale etj, të cilët luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet historike. Përmendet kryengritja e Dervish Carës e viteve 1843-1844, të cilën e prinin klerikët bektashian dervish Kapo, dervish Pola. Shtabi i kryengritjes, ishte në teqenë e Tetovës. 
Më tej, në vite, vazhduan baballarët: baba Muhamed Mehdiu (deri 1882); Haxhi Dede Ahmeti, që në kohën e tij shërbenin dyzet dervish dhe 15 baballarë (deri 1901); baba Hamza (deri 1908); baba Hamiti (deri 1912); dervish Nebiu (deri 1914). Më vonë pronat i uzurpuan serbët. Në vitin 1941, mori drejtimin e teqesë baba Qazim Bakalli (deri 1944); baba Tajar Gashi (deri 1980). I shfrytëzoi ambjentet e teqesë ndërrmarja tekstile Teteks, deri në korrik 1994; baba Tajar Gashi (1994- 2000); baba Tahir Emini (2000-2007);  Haxhi Baba Edmond Brahimaj (2007-2011); dervish Abdyl-Metalip (2011 e në vazhdim).
Afër pesë shekuj në këtë teqe, kanë shërbyer, vepruar e krijuar, klerikë bektashianë e intelektual të penës, teologë, filozofë, letrarë e të tjerë. Arkitektura e saj e të tjera, përbëjnë thesarin e kulturës bektashiane dhe kombëtare shqiptare. Ajo ishte edhe shkollë e përgatitjes së klerikëve për shekuj me radhë. Ka gjithashtu dhe rolin historik, pasi kontribuoi shumë zhvillimit në shumë sfera të jetës, kulturës dhe arsimit.
Godina e teqesë Harbati, arkitektura
Arkitektura e teqesë përbëhet: godina komplekse arkitektonike e teqesë, impozante dhe madhështore, përbën një margaritar të thesarit të kulturës shqiptare dhe botërore. Ajo përbëhet nga shumë objekte të kompleksit të saj: Faltorja-Kubbeli
Mejdani, ku ruhet sot vetëm para dhoma me dy mbishkrimet;  shtëpia ose konaku veror, ku rrinin klerikët; selamllëku ( dhoma e pritjes); qoshku verior dhe shatërvani i teqesë; shtëpia dimërore me objekte të tjera; faltorja e vogël, mauzoleu, lavanteria, kuzhina e vogël, kabri i baba Mehmet Harbatit; shtëpia e punëtorëve; restoranti i teqesë; furra e teqesë; hambarët e teqesë; bodrumi i teqesë; hajate bagëtish; çezma e madhe; çezma e vogël; varrezat e teqesë; kulla e rojeve mbi hyrjen kryesore. Teqeja ka katër porta të cilat simbolizojnë elementë nga doktrina bektashiane. Kompleksi madhështor i kësaj teqeje, me objektet e ndërtuara, janë integruar në një tërësi unike e plotësojnë njëri-tjetrin me veçoritë e veta si portat, oxhaqet, kulmet, shtyllat katër katëshe, koloriti i pasur i fasadave, pikturat murale, mbishkrimet e shumta… Në oborrin e teqesë, është gjelbërimi i pafund, harmonia në kompozimin e detajeve dhe shumë cilësi të tjera që janë me vlera të jashtëzakonshme, që cilat herë-herë, paraqesin dhe simbole që kanë të bëjnë me elementë të doktrinës dhe kompletimin e riteve bektashiane. 
Arkitektura e saj e të tjera përbëjnë thesarin e kulturës bektashiane dhe kombëtare shqiptare.