
Sot, më 7 korrik 2026, në Teqenë e Turanit në Korçë u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit shpirtëror bektashian. Besimtarë të shumtë nga Korça dhe zonat përreth u mblodhën në këtë vatër të shenjtë për të përkujtuar sakrificën dhe martirizimin e Imam Hysenit në Qerbela, si simbol të drejtësisë, besimit dhe qëndresës.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të mbushur me përkushtim dhe paqe shpirtërore. Gjatë saj u kryen lutjet tradicionale dhe u shpërnda ashurja, e cila përfaqëson unitetin, dashurinë, solidaritetin dhe bashkëjetesën mes njerëzve.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili përcolli mesazhe paqeje, harmonie dhe respekti për vlerat e besimit bektashian. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditave shpirtërore dhe të forcimit të ndjenjës së vëllazërisë e dashurisë mes njerëzve.
Ceremonia e Ashures në Teqenë e Turanit dëshmoi edhe një herë vazhdimësinë e një tradite të vyer shpirtërore, duke bashkuar besimtarët në frymën e respektit, përkushtimit dhe vlerave universale të paqes e humanizmit.
Përgatiti: Xh. Cullhaj














