KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE MIKPRITI TRAJNIMIN EVROPIAN “SHARED SACRED FLOURISHING”

Nga data 20 deri më 24 korrik 2026, Kryegjyshata Botërore Bektashiane pati nderin të mirëpriste në selinë e saj Trajnimin Evropian të Trajnerëve mbi Shared Sacred Worldview (SSW) dhe Shared Sacred Flourishing (SSF), një aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar që mblodhi përfaqësues të këshillave ndërfetarë, Këshillit Evropian për Liderët Fetarë, komuniteteve fetare, rrjeteve të grave dhe të rinjve, si dhe aktorë të shoqërisë civile nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Dita e parë – 20 korrik 2026
Trajnimi u çel me ceremoninë e mirëseardhjes, ku pjesëmarrësit u përshëndetën nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shkëlqesia e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili, në fjalën e tij përshëndetëse, u uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve në selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ai vlerësoi rëndësinë e dialogut ndërfetar, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të urave të mirëkuptimit ndërmjet popujve dhe besimeve, duke theksuar se paqja, respekti dhe bashkëjetesa janë vlera themelore që duhet të udhëheqin përpjekjet e përbashkëta për një shoqëri më të drejtë dhe më harmonike.
Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me konceptet themelore të Shared Sacred Worldview dhe Shared Sacred Flourishing, duke reflektuar mbi mënyrën se si traditat fetare dhe shpirtërore ndikojnë në perceptimet, përgjegjësitë dhe angazhimin e përbashkët për të mirën e shoqërisë. Sesionet u lehtësuan nga Emina Frljak dhe Omer Faruk Karacan, të cilët krijuan një atmosferë të hapur dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash.
Në vijim të programit, pjesëmarrësit ndoqën një ligjëratë të mbajtur nga z. Skënder Bruçaj, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili ndau reflektime mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe rolin e komuniteteve fetare në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit.

Ditët e dytë, të tretë dhe të katërt
Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit vijuan programin përmes sesioneve teorike dhe praktike, diskutimeve në grupe dhe ushtrimeve interaktive, duke thelluar njohuritë mbi metodologjinë Shared Sacred Flourishing. Këto sesione krijuan një hapësirë të frytshme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërfetar dhe zhvillimin e aftësive për zbatimin e kësaj qasjeje në komunitetet e tyre.

Dita e pestë – 24 korrik 2026
Dita e fundit e trajnimit iu kushtua zbatimit praktik të metodologjisë Shared Sacred Flourishing, përmes punës në grupe, ushtrimeve interaktive dhe diskutimeve mbi mënyrat konkrete të promovimit të dialogut, respektit dhe bashkëpunimit ndërfetar në komunitete.
Në kuadër të programit, pjesëmarrësit ndoqën edhe ligjëratën e Prof. Dr. Gjergji Sinanit, Rektor i Universitetit BEDËR, i cili trajtoi rolin e edukimit, etikës dhe dialogut ndërfetar në forcimin e kulturës së paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane e vlerëson organizimin e këtij trajnimi si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërfetar dhe ndërkombëtar, duke riafirmuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në promovimin e dialogut, tolerancës, paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve.
Trajnimi u organizua nga Religions for Peace International, Religions for Peace Europe dhe European National Interreligious Bodies (ENIB), në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, komunitetet fetare dhe partnerët e tjerë kombëtarë e vendorë.