
Ditën e sotme, në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi një takim kortezie me Ambasadorin e Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, Sh.T. Z. Anar Huseynov, i shoqëruar nga Chargé d’Affaires, Z. Asiman Aliyev.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke krijuar një mundësi të veçantë për njohje të ndërsjellë, shkëmbim mendimesh dhe prezantim të historisë, traditës dhe vlerave të Bektashizmit.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryegjyshi Botëror u ndal në historinë e Bektashizmit, rrugëtimin e tij ndër shekuj dhe veçanërisht në praninë dhe kontributin e tij në shoqërinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Ai theksoi gjithashtu vlerat universale që përcjell tradita bektashiane, ndër të cilat paqja, dashuria për njeriun, respekti për tjetrin, toleranca, bashkëjetesa dhe dialogu ndërfetar.
Në këtë kuadër, Kryegjyshi vuri në dukje rëndësinë e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve dhe besimeve të ndryshme, si një urë që afron njerëzit dhe shoqëritë dhe kontribuon në forcimin e paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës.
Nga ana e tij, Ambasadori Anar Huseynov shprehu kënaqësinë për pritjen në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe vlerësimin e tij për mundësinë për t’u njohur më nga afër me historinë dhe trashëgiminë e Bektashizmit, si dhe me rolin që Kryegjyshata Botërore Bektashiane luan në promovimin e dialogut, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar.
Në vijim të takimit, delegacioni i Ambasadës së Republikës së Azerbajxhanit zhvilloi një vizitë në Muzeun Bektashian, arkiv, bibliotekë, fonotekë dhe filmotekë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadori Anar Huseynov dhe Z. Asiman Aliyev u njohën nga afër me një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë historike, shpirtërore dhe kulturore të Bektashizmit. Përmes objekteve, dokumenteve, fotografive dhe dëshmive të ruajtura në këto hapësira, ata patën mundësinë të njihen me momente të rëndësishme të historisë së Bektashizmit, me personalitete që kanë lënë gjurmë në këtë traditë, si dhe me kontributin e saj në historinë dhe kulturën shqiptare.
Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të kuptuar më mirë mesazhin e paqes, harmonisë, respektit dhe bashkëjetesës që Bektashizmi ka përcjellë ndër breza dhe që përbën një nga shtyllat e veprimtarisë së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në marrëdhëniet me komunitetet fetare, institucionet dhe përfaqësuesit diplomatikë.
Takimi u mbyll me urime për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit, duke vlerësuar rëndësinë e kontakteve të tilla në funksion të njohjes së ndërsjellë, dialogut ndërkulturor e ndërfetar dhe forcimit të urave të miqësisë ndërmjet popujve.
Fotot: N. Cumani

















