VIZITË E AMBASADORES SË REPUBLIKËS SË GREQISË NË SELINË E SHENJTË TË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE

Ditën e enjte, 27 gusht 2026, Shkëlqesia e Saj, znj. Lambrini Komini, Ambasadore e Republikës së Greqisë në Shqipëri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Vizita u zhvillua në kuadër të marrëdhënieve dhe komunikimit institucional, duke krijuar një mundësi për një bashkëbisedim mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar, mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë, si vlera të rëndësishme për forcimin e paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve dhe popujve.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e vijimit të bashkëpunimit dhe e promovimit të vlerave të përbashkëta njerëzore, në frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit.
Në vijim të vizitës, Ambasadorja Komini vizitoi ambientet e Odeonit të Kryegjyshatës, ku u njoh nga afër me Muzeun e Bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën dhe filmotekën, duke parë hapësirat ku ruhen dokumente, botime, objekte dhe dëshmi të rëndësishme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së bektashizmit.
Vizita përbëri një tjetër moment të rëndësishëm në kuadër të komunikimit dhe marrëdhënieve të miqësisë e bashkëpunimit, duke shërbyer si një mundësi për të vijuar promovimin e dialogut, respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.

Fotot: Nuri Çumani