
Në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë në Tiranë, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u zhvillua mbledhja periodike me sekretarët e Gjyshatave dhe Teqeve Bektashiane nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit, përgjegjësisë dhe forcimit të mëtejshëm të organizimit institucional të strukturave bektashiane, duke vënë në fokus punën e Gjyshatave dhe Teqeve, ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore e kulturore, administrimin e dokumentacionit dhe pasurive, si dhe zhvillimin e veprimtarisë fetare në shërbim të besimtarëve.
Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për një dokumentim sa më të plotë të historisë dhe veprimtarisë së çdo Gjyshate dhe Teqeje. U kërkua që të vijojë mbledhja, sistemimi dhe ruajtja e dokumentacionit historik, biografive të klerikëve, fotografive, arkivave, inventarëve dhe materialeve të tjera me vlerë për historinë e Bektashizmit. Këto materiale do të sistemohen, ruhen dhe digjitalizohen në arkivin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si pjesë e kujtesës institucionale dhe e trashëgimisë që u përcillet brezave.
Një çështje e rëndësishme e trajtuar gjatë mbledhjes ishte edhe problematika e pronësisë, regjistrimit dhe dokumentimit të pasurive të paluajtshme të komunitetit. U kërkua që çështjet e pronësisë të ndiqen me prioritet, duke evidentuar problematikat, plotësuar dokumentacionin juridik dhe teknik dhe duke vijuar bashkëpunimin me institucionet përkatëse shtetërore për zgjidhjen e tyre.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e inventarizimit të plotë të Gjyshatave, Teqeve, tyrbeve, objekteve të kultit, pronave dhe inventarit të tyre, si dhe identifikimi, dokumentimi dhe administrimi i pasurive që lidhen me veprimtarinë e komunitetit bektashian.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Gjyshatave dhe Teqeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, me qëllim rritjen e koordinimit dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të veprimtarisë fetare dhe institucionale.
Në mbledhje u diskutua gjithashtu për vijimin e veprimtarive fetare, kulturore, sociale dhe humanitare, si dhe për përgatitjen e planeve të punës për periudhat në vijim. Në mënyrë të veçantë, strukturat u orientuan për dokumentimin e ceremonive fetare, pelegrinazheve, konferencave, aktiviteteve kulturore, vizitave zyrtare dhe çdo veprimtarie tjetër që zhvillohet në Gjyshata dhe Teqe.
Në kuadër të punës për forcimin e organizimit të komunitetit, u ritheksua edhe rëndësia e procesit të regjistrimit të besimtarëve bektashianë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si një proces i rëndësishëm për evidentimin dhe organizimin sa më të mirë të komunitetit.
Në përfundim të mbledhjes, Kryegjyshi Botëror u bëri thirrje të gjithë sekretarëve, dervishëve dhe drejtuesve të Gjyshatave e Teqeve që detyrat e tyre t’i ushtrojnë me përkushtim, përgjegjësi dhe frymë bashkëpunimi, duke pasur në themel shërbimin ndaj besimtarëve, ruajtjen e trashëgimisë dhe forcimin e vlerave të Bektashizmit.
Mbledhja shërbeu si një moment i rëndësishëm koordinimi dhe reflektimi mbi punën e kryer dhe detyrat e së ardhmes, me synimin që strukturat bektashiane në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të vijojnë të punojnë të bashkuara në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të besimit, paqes, dashurisë, tolerancës, vëllazërisë dhe harmonisë njerëzore.











