Ditën e shtunë, 5 shtator 2026, në teqenë e Frashërit, Përmet, do të zhvillohet ceremonia përkujtimore me rastin e 245-vjetorit të themelimit të kësaj teqeje, një prej qendrave të rëndësishme të historisë, traditës dhe trashëgimisë shpirtërore bektashiane në Shqipëri.
Ceremonia do të nisë në orën 09:30 me pritjen e të ftuarve dhe do të vijojë me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, si dhe me fjalën përshëndetëse të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, dhe të Shkëlqesisë së Tij, Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë.
Në vijim të ceremonisë do të zhvillohen vizita në teqe dhe në tyrbe, homazhe përkujtimore, si dhe një program artistik.
Kjo ditë përbën një moment të veçantë për të nderuar historinë dhe trashëgiminë e teqesë së Frashërit, si dhe vlerat shpirtërore e kulturore që ajo ka përcjellë brez pas brezi.
Ftojmë të gjithë besimtarët bektashianë, dashamirësit e traditës dhe të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e kësaj ceremonie përkujtimore, në nderim të këtij përvjetori të rëndësishëm.
5 shtator 2026 Teqeja e Frashërit, Përmet Ora 09:30
Mirëpresim të gjithë besimtarët dhe dashamirësit në këtë ditë të veçantë!