SOT, DITA E SHËN TEREZËS. Një shenjtore e dashurisë, një simbol i paqes dhe një frymëzim për njerëzimin

Sot, më 5 shtator 2026, në Ditën e Shën Terezës, Kryegjyshata Botërore Bektashiane përkujton me nderim figurën e shenjtë të Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, bijës së shquar të kombit shqiptar dhe një prej figurave më të njohura të humanizmit botëror.
E lindur në Shkup, Gonxhe Bojaxhiu ia kushtoi jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve, të pambrojturve dhe njerëzve në nevojë. Përmes veprës së saj, ajo përcolli në mbarë botën një mesazh universal dashurie, mëshire, paqeje dhe përkushtimi ndaj njeriut, pa dallim besimi apo përkatësie.
Lidhja e Nënë Terezës me historinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane përbën një kujtim të veçantë. Më 22 mars 1991, në ditën historike të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, pas dekadave të ndalimit të besimit fetar në Shqipëri, Nënë Tereza ishte e pranishme në këtë ngjarje të rëndësishme për jetën shpirtërore dhe fetare të vendit.
Në këtë ditë, ajo u takua me ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhin, si dhe me grupin nismëtar që punoi për ringritjen dhe rihapjen e Kryegjyshatës.
Prania e saj në atë moment historik mbetet një dëshmi e bukur e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës dhe vëllazërisë ndërfetare, vlera që kanë shoqëruar historikisht jetën shpirtërore të popullit shqiptar.
Sot, kujtimi i Shën Terezës vijon të përcjellë një mesazh universal: dashuria për njeriun, mëshira dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë vlera që kapërcejnë çdo kufi dhe bashkojnë njerëzit e besimet.
Në këtë ditë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane shpreh nderimin e saj për Shën Terezën e Kalkutës, figurën e madhe shqiptare që me jetën dhe veprën e saj u bë simbol i dashurisë, paqes dhe humanizmit në mbarë botën.
Shën Tereza, një emër shqiptar, një zemër për gjithë njerëzimin.