PËRKUJTOHET 245-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË SË FRASHËRIT, PËRMET

Ditën e shtunë, 5 shtator 2026, në teqenë e Frashërit, Përmet, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 245-vjetorit të themelimit të kësaj teqeje, në një ditë që bashkoi në këtë vend të shenjtë përfaqësues të institucioneve më të larta të shtetit, personalitete të jetës publike, përfaqësues të komunitetit bektashian, figura të fushave të ndryshme, besimtarë dhe dashamirës të traditës sonë.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, dhe Shkëlqesia e Tij, Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, së bashku me personalitete të shumta dhe besimtarë të ardhur nga treva të ndryshme.
Ceremonia nisi me pritjen e të ftuarve dhe vijoi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, duke i dhënë kësaj dite një dimension të veçantë solemniteti dhe bashkimi rreth vlerave të besimit, atdhedashurisë dhe trashëgimisë kulturore e shpirtërore.
Në fjalët përshëndetëse u vlerësua rëndësia historike dhe shpirtërore e teqesë së Frashërit, roli i saj në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës bektashiane ndër breza, si dhe kontributi i saj në historinë e jetës shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.
Teqeja e Frashërit, prej shekujsh, ka qenë një prej pikave të rëndësishme të jetës bektashiane në jug të Shqipërisë, duke shërbyer si vend besimi, përkushtimi, dijes dhe komunikimi shpirtëror. Përvjetori i 245-të i themelimit të saj përbën një moment të rëndësishëm për të kujtuar rrënjët historike të këtij institucioni dhe për të nderuar brezat e klerikëve, besimtarëve dhe kontribuesve që kanë mbajtur gjallë këtë trashëgimi.
Gjatë veprimtarisë u zhvilluan gjithashtu vizita në mjediset e teqesë dhe në tyrbe, homazhe në nderim të figurave dhe personaliteteve të lidhura me historinë e saj, si dhe një program artistik, i cili i dha ceremonisë një dimension të veçantë kulturor.
Prania e gjerë e personaliteteve dhe e besimtarëve në këtë përvjetor dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë që komuniteti bektashian dhe shoqëria shqiptare kanë me vendet e shenjta të historisë dhe traditës sonë.
245-vjetori i teqesë së Frashërit ishte një ditë kujtese, nderimi dhe bashkimi, në të cilën u rikujtuan vlerat e besimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe harmonisë ndërfetare që kanë karakterizuar traditën bektashiane ndër shekuj.
Kjo ditë përbën një tjetër dëshmi të rëndësisë së ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë shpirtërore e kulturore shqiptare, si një pasuri që i përket jo vetëm besimtarëve, por gjithë shoqërisë dhe brezave të ardhshëm.

Shënim: Në vijim, do të publikojmë më të detajuara mbi ceremoninë përkujtimore të 245-vjetorit të themelimit të Teqesë së Frashërit, pjesëmarrjen e personaliteteve dhe besimtarëve, si dhe momentet kryesore të kësaj veprimtarie.