
Ditën e hënë, 28 shtator 2026, përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një vizitë në ambientet e Selisë së Shenjtë në Tiranë, ku u pritën edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Takimi u përqendrua në bashkëpunimin institucional për mbrojtjen, ruajtjen, konservimin dhe restaurimin e pasurive kulturore të trashëgimisë bektashiane, me vëmendje të veçantë ndaj “Vendit të Mirë Ballëm Sulltan (Guva)”, pranë Teqesë së Vjetër, në Ballenjë, Martanesh, si dhe Teqesë në fshatin Peshk.
Gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen aktuale të këtyre objekteve të trashëgimisë, problematikat e evidentuara dhe nevojën për ndërhyrje të përshtatshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre. Në veçanti, u trajtuan çështje që lidhen me përmirësimin e aksesit dhe sigurisë, menaxhimin e ujërave, si dhe ruajtjen e vlerave autentike dhe karakteristikave të veçanta të këtyre monumenteve.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vijojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e kësaj trashëgimie të çmuar kulturore e shpirtërore, me synim ruajtjen e saj dhe përcjelljen te brezat e ardhshëm.



