
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvilloi një aktivitet të përbashkët reflektimi dhe ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e familjes si themeli i shoqërisë dhe i vlerave njerëzore. Në këtë takim morën pjesë krerët dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, përfaqësues institucionalë, të rinj dhe të ftuar të shumtë.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe u shoqërua me deklaratën zyrtare të KNFSH-së, si dhe me fjalën përshëndetëse të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili përcolli një mesazh të fortë mbi ruajtjen e familjes, harmonisë dhe vlerave shpirtërore.
Deklarata zyrtare e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:
“Të nderuar qytetarë, besimtarë, shtetas Shqipatar të kudondodhur të Republikës së Shqipërisë,
Në këtë ditë të veçantë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, një ditë që na kujton rolin themelor dhe të pazëvendësueshëm të familjes në jetën e çdo shoqërie.
Familja është themeli i vlerave njerëzore, i edukimit moral dhe shpirtëror, si dhe hapësira e parë ku njeriu mëson dashurinë, respektin, përgjegjësinë dhe solidaritetin. Në traditat tona fetare dhe shpirtërore, familja konsiderohet një amanet i shenjtë, një vend ku jeta merr kuptim dhe ku ndërtohet paqja e brendshme e individit dhe e shoqërisë.
Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të shumta, të natyrës sociale, ekonomike dhe kulturore, ne theksojmë se forcimi i familjes mbetet një nga rrugët më të sigurta për forcimin e vetë shoqërisë. Çdo vështirësi e jetës është kalimtare, por vlerat e bashkimit, dashurisë dhe mirëkuptimit në familje janë ato që mbeten dhe trashëgohen ndër breza.
Në këtë frymë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të familjes së bashkuar, përballë çdo sfide që mund ta cenojë atë, qoftë në aspektin social, kulturor apo ligjor, si dhe ndaj çdo prirjeje apo politike që dobëson rolin e familjes tradicionale si themel i shoqërisë. Ne besojmë se mbrojtja e familjes nuk është vetëm një çështje e besimit dhe e moralit, por edhe një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe kombëtare.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bën thirrje të gjitha familjeve, institucioneve dhe komuniteteve që të punojnë së bashku për të mbrojtur dhe forcuar familjen, si bërthama e paqes, edukimit dhe harmonisë shoqërore.
Në këtë ditë të shënuar, ne shprehim urimet tona më të përzemërta për çdo familje shqiptare, duke lutur që paqja, shëndeti dhe begatia të jenë pjesë e përditshme e çdo vatre familjare.”
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj:
“Të nderuar Krerë e përfaqësues të komuniteteve fetare të Shqipërisë,
Të nderuar anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë,
Të nderuara zonja të Bordit të Grave,
Të dashur të rinj e të reja të Bordit Rinor,
Miq dhe të ftuar të pranishëm,
Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë që sot, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2026 dhe në mjediset e shenjta të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, të bashkohemi për të përkujtuar dhe reflektuar mbi Ditën Ndërkombëtare të Familjes, 15 Majin, një ditë që i kushtohet themelit më të rëndësishëm të jetës njerëzore dhe të çdo shoqërie të shëndetshme.
Familja është vendi ku njeriu mëson dashurinë e pare atë prindërore e vëllazërore, respektin e parë, sakrificën e parë dhe besimin e parë. Ajo është shkolla e virtytit, tempulli i edukimit moral dhe burimi i paqes shpirtërore. Në gjirin e familjes lind ndjenja e përgjegjësisë, e solidaritetit dhe e kujdesit për tjetrin.
Sot, në një botë që përballet me ndryshime të shpejta sociale, me sfida ekonomike, me largim nga vlerat njerëzore dhe me rritjen e individualizmit, familja ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje morale, shpirtërore dhe institucionale. Nuk mund të ketë paqe në shoqëri pa paqe në familje. Nuk mund të ketë edukim të brezave të rinj pa një familje të fortë dhe të shëndetshme.
Traditat tona fetare, pavarësisht dallimeve, bashkohen në një pikë të përbashkët: në SHENJTËRINË E FAMILJES. Të gjitha besimet tona predikojnë dashurinë ndërmjet bashkëshortëve, respektin ndaj prindërve, kujdesin për fëmijët dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Pikërisht këto vlera janë ura që na bashkojnë si komunitete fetare dhe si qytetarë të këtij vendi.
Shqipëria është një shembull i rrallë i harmonisë ndërfetare në botë. Kjo harmoni nuk është ndërtuar vetëm në institucione, por ka lindur fillimisht në familjet shqiptare, ku janë edukuar breza me frymën e respektit, mikpritjes dhe bashkëjetesës. Prandaj, ruajtja e familjes shqiptare do të thotë ruajtje e vetë shpirtit të kombit tonë.
Sot dua t’i drejtohem veçanërisht të rinjve. Ju jeni e ardhmja e familjes dhe e shoqërisë sonë. Mos lejoni që teknologjia, ritmi i shpejtë i jetës apo ndikimet negative të zbehin lidhjet njerëzore. Ruani komunikimin, respektin dhe dashurinë në familjet tuaja. Një shoqëri bëhet më humane kur të rinjtë ndërtojnë familje mbi ndershmërinë, mirëkuptimin dhe përgjegjësinë.
Po ashtu, shpreh mirënjohje për rolin e gruas në familje dhe në shoqëri. Gruaja është shtylla e edukimit, e sakrificës dhe e dashurisë njerëzore. Pa forcën dhe urtësinë e saj, familja humbet ekuilibrin e saj shpirtëror dhe moral.
Ne, krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë, të bashkuar në frymën e harmonisë dhe përgjegjësisë morale ndaj shoqërisë sonë, do të qëndrojmë me vendosmëri përballë çdo sfide, draft ligji apo iniciative që synon të cenojë, dobësojë apo përçajë familjen tradicionale shqiptare, këtë institucion të shenjtë mbi të cilin është ngritur ndër shekuj identiteti ynë kombëtar, moral dhe shpirtëror. Familja nuk është vetëm një strukturë shoqërore, por një amanet hyjnor dhe një vatër ku ruhen vlerat e dashurisë, respektit, sakrificës dhe edukimit njerëzor. Nëpërmjet dialogut, urtësisë dhe zërit tonë të përbashkët, do të mbrojmë dinjitetin e familjes shqiptare dhe të drejtën e saj për të mbetur themeli i shëndoshë i kombit dhe i së ardhmes së brezave tanë.
Të dashur miq të ftuar në këtë ditë sublime,
Le të japim sot një mesazh të përbashkët: të mbrojmë familjen, të mbështesim prindërit, të edukojmë brezat me vlera dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të dashur dhe më njerëzore.
Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë na kujton bukurinë e lidhjes së shenjtë bashkëshortore burrë grua, duke thënë:
“Dhe nga shenjat e Tij është që krijoi për ju nga vetja juaj bashkëshorte, që të gjeni prehje tek ato, dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë.”
(Kurani, Ar-Rum 30:21)
Ky ajet na tregon se familja nuk është thjesht bashkëjetesë, por është një lidhje e ndërtuar mbi dashuri dhe mëshirë, dy shtylla që e mbajnë të fortë çdo shtëpi besimtari.
Po ashtu, Islami na urdhëron të ruajmë lidhjet familjare dhe farefisninë, duke thënë:
“Dhe kini frikë Allahun …… ruani lidhjet e farefisnisë.”
(Kurani, An-Nisa 4:1)
Në këtë mesazh hyjnor ne gjejmë një thirrje të qartë: familja nuk duhet të ndahet, por duhet të forcohet me dashuri, respekt dhe përgjegjësi.
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të), ka thënë:
“Më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij.”
(Hadith – Tirmidhiu)
Ky hadith na mëson se vlera e vërtetë e njeriut nuk matet vetëm në shoqëri, por fillon në shtëpinë e tij, në sjelljen ndaj bashkëshortit apo bashëshortes, fëmijëve dhe prindërve.
Po ashtu, Profeti ynë i dashur ka thënë:
“Secili prej jush është bari dhe secili është përgjegjës për tufën e tij.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Kjo na kujton se çdo prind ka një amanet të madh: edukimin, mbrojtjen dhe udhëzimin e familjes së tij në rrugën e drejtë.
Le të lutemi së bashku që Zoti i Madhëruar të bekojë çdo familje me paqe, shëndet, mirësi dhe harmoni të qëndrueshme në zemra dhe në shtëpi.
Qoftë çdo vatër familjare një vatër drite dhe dashurie, një vend ku mbizotëron mirëkuptimi, respekti dhe shpresa për të ardhmen.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj tryeze,
Mesazhi ynë sot është një thirrje e thjeshtë, por shumë e thellë: që fjalët dhe mendimet tona të mos mbeten vetëm këtu, por të shkojnë në çdo familje, në çdo shtëpi, në çdo zemër.
Sepse pavarësisht sfidave dhe vështirësive që jeta sjell të cilat janë kalimtare dhe pjesë e sprovas së jetës forca më e madhe e njeriut mbetet bashkimi i familjes. Kur familja qëndron e bashkuar, asnjë vështirësi nuk është e pakalueshme; kur ajo ruan dashurinë dhe durimin, çdo stuhi kthehet në forcë dhe mësim.
Le të punojmë së bashku që familjet tona të jenë shembull i unitetit, i dashurisë dhe i qëndrueshmërisë morale, sepse aty fillon edhe forca e shoqërisë sonë.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin! ”
Takimi u mbyll me një mesazh të përbashkët uniteti, harmonie dhe përgjegjësie ndaj familjes shqiptare dhe brezave të ardhshëm. Të pranishmit theksuan rëndësinë e ruajtjes së vlerave njerëzore, shpirtërore dhe morale, si themel i një shoqërie të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Në frymën e bashkëpunimit ndërfetar dhe të mirëkuptimit, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmoi angazhimin e tij për të qenë gjithmonë në mbështetje të familjes, paqes sociale dhe harmonisë kombëtare.





















