
Të mërkurën e kësaj jave, në ambientet e Kryegjyshatës (Odeoni), Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi një takim interesant me studentët e Fakultetit “Histori Filologji”, të USHT. Studentët shoqëroheshin nga Prof. Dr. As. Esmiralda Koloneci, Prof. As. Dr. Erinda Pejo, Prof. As. Dr. Meljana Bregu, Prof. As. Dr. Juliana Gjinko, Kryetarja e Grave në Komunitetin Myslian znj. Fatma Karaj, Shefja e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, bashkë me Prof. Valentina Duka e
Studentët që morën pjesë në këtë takim janë të nivelit Bachelor në Histori, Bachelor në Studime Ndërkombëtare dhe Master Shkencor në Histori dhe Master Shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj në bisedën e tij u solli një panoramë të shkurtër të historisë së bektashizmit në botë në këto 800 vjet ekzistence, duke u ndalur dhe në proceset historike të zhvillimit pas viteve `90. Ai u tregoi gjithashtu se Qendra Botërore e Bektashizmit ka 96 vjet që e ka qendrën në Shqipëri dhe po bënë një punë të kujdesshme në forcimin e marrëdhënieve e harmonisë fetare, në Shqipëri dhe në botë, me veprimtari të shumta gjatë gjithë vitit. U ndal dhe në botimin e librave cilësorë si, Misticizma Islame dhe Bektashizma; Shtrirja Gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri, (Guid enciklopedi); Bektashizmi në Tepelenë; Naim Frashëri Apostull dhe Bilbil i Shqiptarizmës; Imam Aliu; Imam Hyseni, Nefes-Jeta ime etj. Pedagogët dhe studentët dëgjuan me vëmendje dhe bënë pyetje të ndryshme rreth Shtrirjes Gjeografike, edukimit fetar, mbi pelegrinazhet si dhe Statusin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Ata vizituan me kureshtje Muzeun e Bektashizmit, ku u njohën me të gjithë objektet e ekspozuara, eksponatet e ndryshme. Më pas vizituan Arkivin Bektashian, Fototekën, Fonotekën, Bibliotekën dhe ambientet e tjera të Odeonit. Në përmbyllje të këtij takimi Kryegjyshi i falënderoi dhe i uroi shëndet e mirësi në familjet e tyre. U shpërndanë ndërkohë të pranishmëve, revista “Urtësia” dhe libra të botimeve të Shtëpisë Botuese të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
…Departamenti i Historisë i këtij Universiteti i ka fillesat e tij që me themelimin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në vitin 1957. Në atë periudhë, ai funksiononte i organizuar në dy katedra: Katedra e Historisë së Shqipërisë dhe Katedra e Historisë së Përgjithshme, të cilat, së bashku me Katedrën e Gjeografisë, përbënin degën Histori–Gjeografi. Në zhvillimin dhe konsolidimin e këtyre katedrave kontribuan ndjeshëm profesorë të shquar si: Aleks Buda, Todi Dhamo, Mentor Belegu, Drita Mehmeti, Hysni Myzyri etj.
Ndryshimet politike dhe transformimet social-ekonomike të fillimit të viteve 1990 krijuan kushtet për reformimin e mëtejshëm të strukturës akademike, duke çuar në krijimin e Departamentit të Historisë si njësi më vete. Në këtë kontekst, u zgjeruan ndjeshëm kontaktet me literaturën dhe metodologjitë perëndimore, u intensifikua bashkëpunimi me studiues të huaj dhe u rrit pjesëmarrja e studentëve dhe studiuesve shqiptarë në universitete ndërkombëtare. Theksi vihet në harmonizimin me legjislacionin aktual të arsimit të lartë dhe në përshtatjen me kërkesat e tregut të punës për specialistë në fushat që mbulon Departamenti i Historisë. Gjithashtu, ata mund të kontribuojnë në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian dhe donatorë ndërkombëtarë, në kuadër të zhvillimit dhe bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Departamenti i Historisë ofron programe studimi në të tre ciklet: Bachelor në Histori dhe në Studime Ndërkombëtare si dhe Master Shkencor në Histori, Doktoraturë në “ Shkenca Humane, Albanologjike dhe Gjeografi ” etj.
Përgatiti: Nuri ÇUNI
Fotot: Nuri ÇUMANI














