
Dita e enjte, 14 maj 2026, është një ditë e shënuar për besimtarët e trevës së Përmetit dhe më gjerë, pasi kjo është dita e pelegrinazhit tradicional bektashian, në teqenë e njohur të Alipostivanit, në Përmet. Ky pelegrinazh tradicional vjetor, vijon të jetë një pikë e rëndësishme shpirtërore për ndjekësit e bektashizmit, duke ruajtur me përkushtim një trashëgimi të lashtë fetare dhe kulturore. “…Ne përkujtojmë në këtë ditë të veçantë rolin historik, atdhetar e kombëtar të klerikëve dhe këtij objekti bektashian, nga baba Aliu, që solli dhe përhapi bektashizmin në këtë zonë, themeluesin zyrtar, Abdullah Babain, deri tek vëllai ynë, baba Hekurani që shërbeu i fundit si klerik në këtë teqe. Kjo ditë e bekuar, i bën besimtarët dhe të gjithë dashamirësit e besimit tonë të paqtë, më të devotshëm dhe më të bindur në Udhën e Hakut, duke forcuar adhurimin për të Madhin Zot, për të reflektuar në jetën e përditshme më shumë dashuri, mirësi, paqe e vëllazëri…”-thotë mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Alipostivanit , e vendosur në një kodër piktoreske që mbikëqyr luginën e Vjosës dhe malin e Nemërçkës, në fshatin Alipostivan të Njësisë Administrative Qendër Piskovë, është themeluar në vitin 1900, por gojëdhënat e hershme dhe objektet arkeologjike të zbuluara në zonë dëshmojnë për një histori shumë më të hershme të këtij vendi si qendër banimi dhe besimi. Rruga me kalldrëm që dikur lidhte luginën e Osumit me Përmetin dhe Greqinë kalonte pikërisht këtu, duke e bërë këtë vend strategjik dhe të shenjtë.
Historia e teqesë nis me figurën e misionarit të parë, baba Aliu, që solli e përhapi bektashizmin në këtë trevë, dhe më vonë me themeluesin zyrtar, Abdullah Babain. Teqeja ishte nën varësinë e Gjyshatës së Gjirokastrës dhe sot i përket juridiksionit të Gjyshatës së Beratit. Ndër vite, kanë shërbyer figura të njohura të bektashizmit si baba Meleqi, baba Hyseni, baba Hajdari, baba Nazifi dhe shumë të tjerë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e fesë në zonën e Dëshnicës dhe Skraparit.
Teqeja është dëshmitare e ngjarjeve të rëndësishme historike dhe kulturore, përfshirë mbështetjen për lëvizjet për gjuhën shqipe në fillimshekullin XX. E djegur nga andartët grekë në vitin 1914, ajo u rindërtua në vitin 1920. Më pas, u mbyll nga regjimi komunist në vitin 1967 dhe u rihap në maj të vitit 2003, e rindërtuar nga themelet me përkushtimin e baba Hekuran Nikollarit.
Sot, Teqeja e Alipostivanit, me ndërtesën e saj të re dhe mjediset karakteristike bektashiane, është jo vetëm një qendër shpirtërore, por edhe një atraksion i veçantë natyror dhe kulturor në luginën e Vjosës. Me gjelbërim përreth, tyrbe dhe histori të pasur, ajo mbetet një nga perlave e trashëgimisë bektashiane në Shqipëri.
Përshëndetja e Kryegjyshi Botëror, Dede Baba Edmond Brahimaj:
Të nderuar baballarë, dervishë e besimtarë,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor e qendror,
Miq e dashamirës të Teqesë së Alipostivanit,
Motra dhe vëllezër në udhën e paqes dhe të dashurisë hyjnore bektashiane,
Jemi mbledhur sot së bashku me respektin dhe dashurinë më të madhe në këtë ditë të bekuar, për të kremtuar 166-vjetorin e Teqesë së Alipostivanit, një prej vatrave më të ndritura të besimit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare e shpirtërore.
Kjo teqe, e ngritur mbi këtë kodër të bekuar që sodit luginën e shenjtë të Vjosës dhe madhështinë e Nemërçkës, nuk është vetëm një godinë kulti. Ajo është një vatër drite, një amanet i shenjtë i të parëve tanë, një vend ku ndër shekuj janë bashkuar lutja, sakrifica, mikpritja dhe dashuria për njeriun.
Sot përulemi me nderim përpara kujtimit të baba Aliut, përhapësit të parë të frymës bektashiane në këto troje, dhe të Abdullah Babait, themeluesit të kësaj teqeje, si dhe të gjithë baballarëve e dervishëve që shërbyen me devocion në këtë derë të shenjtë: baba Meleqit, baba Hysenit, baba Hajdarit, baba Nazifit e deri tek I ndjeri Baba Hekuran Nikollari që e mbajtën gjallë dritën e besimit edhe në kohët më të vështira.
Teqeja e Alipostivanit është dëshmitare e historisë sonë kombëtare. Këtu u mbrojt fjala shqipe, u ruajt identiteti ynë dhe u edukua fryma e dashurisë për atdheun. Edhe kur u dogj nga andartët grekë në vitin 1914, ajo nuk u shua. Edhe kur u mbyll nga diktatura ateiste në vitin 1967, fryma e saj mbeti gjallë në zemrat e besimtarëve. Dhe kur u ringrit përsëri në vitin 2003 me përkushtimin e baba Hekuran Nikollarit, ajo u bë simbol i triumfit të besimit mbi harresën dhe errësirën.
Ky 166-vjetor na kujton se rruga e bektashizmit është rruga e dritës, e urtësisë dhe e dashurisë njerëzore. Në këtë derë të shenjtë nuk pyetet njeriu se nga vjen, por se çfarë zemre ka. Këtu mësojmë se Zoti gjendet tek mirësia, tek respekti për tjetrin, tek paqja dhe tek shërbimi ndaj njerëzimit.
Sot, kur bota përballet me ndarje, konflikte dhe mungesë shpirtërie, vende si kjo teqe mbeten oaze paqeje dhe harmonie. Ato na kujtojnë se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por edhe me dashuri, besim dhe shpresë.
Le të jetë kjo ditë një lutje për paqe në familjet tona, në Shqipëri dhe në mbarë botën. Le të jetë kjo ditë një amanet që brezat e rinj të mos harrojnë rrënjët, historinë dhe vlerat e trashëguara nga të parët tanë.
Uroj që drita e kësaj teqeje të mos shuhet kurrë dhe që ky pelegrinazh i shenjtë të vazhdojë brez pas brezi si një urë bashkimi, besimi dhe vëllazërie.
Lavdi të gjithë shenjtorëve dhe të urtëve që i shërbyen kësaj dere!
Paqe, mirësi dhe begati për të gjithë ju!
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!



