
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, zhvilloi sot një vizitë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Auron Rrokaj.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke shërbyer si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi marrëdhëniet ndërinstitucionale ndërmjet Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, si dhe mbi mundësitë e forcimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Gjatë bashkëbisedimit u vu në pah rëndësia e ruajtjes, dokumentimit dhe studimit të fondit arkivor, si një pasuri e çmuar që dëshmon historinë e vendit, traditat fetare dhe kontributin e komuniteteve fetare në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua trashëgimisë historike dhe shpirtërore të bektashizmit, si dhe rëndësisë së identifikimit, studimit dhe promovimit të dokumenteve e dëshmive me vlera për historinë kombëtare.
Në këtë drejtim, u theksua se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përbën një mundësi të rëndësishme për t’i shërbyer më tej kërkimit shkencor e historik, si dhe për të përcjellë te brezat e rinj kujtesën historike dhe vlerat që janë pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar.




