KRYEGJYSHI BOTËROR, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË SAMITIN E DIASPORËS NË TIRANË

Në kuadër të aktiviteteve të Samitit të Diasporës, të zhvilluar në Tiranë, mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, duke i dhënë këtij eventi një dimension të veçantë shpirtëror dhe kombëtar.
Samiti, i cili bëri bashkë shqiptarë nga mbarë bota, u shndërrua në një hapësirë dialogu për çështje të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e vendit, rolin e diasporës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Në këtë kuadër, një nga momentet më domethënëse ishte “Mëngjesi i Vëllazërimit”, ku përfaqësues të komuniteteve fetare ndanë mesazhe paqeje, harmonie dhe bashkimi.
Gjatë fjalës së Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian theksoi rëndësinë e unitetit, respektit dhe bashkëjetesës ndërfetare si vlera themelore të shoqërisë shqiptare. Ai u lut për mirëqenien e popullit shqiptar, për paqe dhe për një të ardhme më të drejtë e më të ndritur për të gjithë.
“Le të dalim nga ky takim më të bashkuar, më të fortë në shpirt dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin tonë,” u shpreh ndër të tjera Shenjtëria e Tij.
Pjesëmarrja e Kryegjyshit Botëror në këtë samit nënvizon rolin e rëndësishëm që luan në promovimin e vlerave të tolerancës, dialogut dhe harmonisë fetare, si dhe në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ndodhen.
Ky aktivitet shërbeu si një dëshmi e gjallë e bashkëpunimit dhe solidaritetit kombëtar, duke reafirmuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore në funksion të një të ardhmeje të përbashkët evropiane.