
Sot, më 11 maj 2026, përkujtojmë me nderim dhe respekt të veçantë 10-vjetorin e takimit historik në Vatikan, mes Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe Papa Françeskut, takim i cili mbetet një moment i rëndësishëm në historinë e dialogut ndërfetar, bashkëjetesës dhe vëllazërisë shpirtërore.
Ky takim vëllazëror, i zhvilluar më 11 maj 2016 në Selinë e Shenjtë në Vatikan, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit bektashian, shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet besimeve, në shërbim të paqes, dashurisë njerëzore dhe harmonisë mes popujve.
Papa Françesku, i cili tashmë është ndarë nga jeta, kujtohet me respekt të thellë si një figurë botërore e paqes, dialogut dhe përulësisë. Fjalët e tij për Shqipërinë dhe popullin shqiptar mbeten të paharruara:
“Shqiptarët janë në rrugë të drejtë, drejt Zotit dhe përparimit… Popullit shqiptar i jap me gjithë zemër bekimin tim.”
Nga ana tjetër, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj e vlerësoi Papa Françeskun si:
“Vëllai i madh, që punon për paqen botërore.”
Në këtë 10-vjetor, kujtojmë me mirënjohje këtë takim të frytshëm dhe mesazhet universale që dolën prej tij, mesazhe paqeje, tolerance, urtësie dhe respekti reciprok ndërmjet njerëzve e besimeve.
Kjo ngjarje historike do të mbetet përherë një dëshmi e fuqisë së dialogut dhe e misionit të përbashkët shpirtëror për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më paqësore.


