Zhvillohet konferenca me temë “Të mbrojmë familjen si tempull të shenjtë”

Sot në ditën ndërkombëtare të familjes, përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit zhvilluan në ambientet e “Tirana International Hotel” konferencën e përbashkët me temë: “Të mbrojmë familjen si tempull të shenjtë”.
Në këtë aktivitet, Kryegjshata Botërore Bektashiane u përfaqësua nga Z. Syrja Xhelaj (i Departamentit të Kulturës).
Pasi përshëndeti të pranishmit, Z. Xhelaj u ndal në rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla në promovimin e vlerave të familjes në shoqërinë tonë. Sipas tij, të gjithë ne duhet të kontribuojmë vazhdimisht, duke filluar që nga rrethet e ngushta shoqërore e për të vijuar me tej me aktivitete dhe konferenca të rangut kombëtar, për ti dhënë brezave të rinj shembullin e duhur të familjes.
Po ashtu, u shpreh ai, roli i familjes në shoqëri po vjen duke u zbehur ndaj dhe është detyrë e të gjithë institucioneve, në veçanti e politikës që të investojë më tepër te familja. Në ditën botërore të familjes, përfaqësues të feve të ndryshme në Shqipëri i drejtojnë një apel politikës shqiptare për të rritur vëmendjen te familjet, në mënyrë që të nxjerrin shoqërinë nga problematikat e shumta që kanë.
Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e përfaqësuesve të tjerë të komuniteteve fetare, të cilët në fjalët e tyre parashtruan rëndësinë e kontributit të të gjithëve ne në forcimin dhe promovimin e mëtejshëm të familjes shqiptare.
Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile dhe me media të shumta.