ZHVILLOHET NË ELBASAN CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT ‘NDERI I QARKUT ELBASAN’, KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ

Nëpërmjet një ceremonie madhështore, të hënën datë 13 prill 2026, në orën 11:00, në Teatrin Skampa në Elbasan, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nga Këshilli i Qarkut Elbasan, iu dorëzua titulli “Nderi i Qarkut Elbasan”. Në këtë event të rëndësishëm, merrnin pjesë klerikë bektashian, klerikë të besimeve të tjera fetarë në Elbasan, nga qendra në Tiranë e bashki të tjera të vendit, qeveritarë, deputetë, drejtues vendor të Elbasanit, Tiranës, profesorë, akademikë, besimtarë e miq të shumtë. Kishin ardhur gjithashtu përfaqësues edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e nga vende të tjera ku ka komunitete bektashinjsh.
Aktiviteti u organizua në formë spektakli, me interpretime nefesesh nga aktorë të njohur, këngëtarë me emër si dhe interpretime të valleve nga Ansambli Shtetëror i Këngëve e Valleve, Ansambli ‘Isuf Myzyri’ i Elbasanit, Ansambli i Lushnjes etj..
Pas shoqërimit të Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, të pranishmit në sallën e Teatrit ‘Skampa’, ndoqën filmin dokumentar “Vazhdë në rrugën e urtësisë. Baba Mondi, mëkim i legjendës Reshat Bardhi’ përgatitur nga gazetari i njohur, Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’. U pëlqyen interpretimet e aktorëve Bujar Asqeriu e Dritan Boriçi, si dhe këngëtarët Kastriot Tusha, Manjola Nallbani etj…

GLEDIAN LLATJA, KRYETAR I BASHKISË ELBASAN
E nderuar Kryetare e Këshillit të Qarkut Znj Ermira Urupi! I nderuar Kryegjyshi Botëror Bektashian Shenjtëria juaj z. Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj! Të nderuar klerikë bektashinj! Të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj!
Është një nder i veçantë për mua, si kryetar i bashkisë, t’ju drejtohem sot në këtë ceremoni të rëndësishme, ku nderojmë dhe vlerësojmë kontributin e vyer të klerikëve bektashinj në historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Bektashizmi në Shqipëri nuk është thjesht një besim fetar, por një shkollë e madhe e urtësisë, e tolerancës dhe e dashurisë për njeriun. Fryma e tij, e përçuar ndër shekuj ka ndriçuar rrugën e kombit tonë drejt dijes, bashkëjetesës dhe përparimit. Në periudhat më të vështira të historisë sonë, teqetë bektashiane u kthyen në vatër të arsimit dhe të ndërgjegjes kombëtare. Ato u bënë strehë për patriotët, shkolla për gjuhën shqipe dhe qendra të rezistencës shpirtërore e kulturore. Klerikët bektashinj nuk u ndalën përballë asnjë rreziku, por me përkushtim të jashtëzakonshëm mbajtën gjallë gjuhën, kulturën dhe idealin e lirisë. Vendosja e Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri është një krenari e madhe kombëtare dhe një dëshmi e rolit të pazëvendësueshëm që vendi ynë ka në historinë e bektashizmit botëror. Klerikët bektashinj në Shqipëri kanë një histori të gjatë kontributi atdhetar dhe fetar, e cila është vlerësuar shpesh nga institucionet shtetërore, veçanërisht pas rënies së regjimit komunist, të tillë si: Baba Hekuran Nikollari, i njohur si një model i klerikut atdhetar dhe i përkushtuar në udhëheqjen shpirtërore dhe kultivimin e vlerave bektashiane. Baba Ali Tomorri, figurë emblematike, i dekoruar pas vdekjes për kontributin e tij si klerik, intelektual dhe shkrimtar, i cili u përball me persekutimin e regjimit komunist. Baba Shefqet Gllava, i nderuar për qëndresën dhe sakrificën e tij, simbol i klerit të ndershëm që vuajti persekutimin. Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili e udhëhoqi me urtësi komunitetin në periudhën e vështirë të pas vitit 1990 dhe kontribuoi në ringritjen e tij. Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshi aktual Botëror, i cili nderohet për promovimin e paqes, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri dhe më gjerë. Këta klerikë dhe shumë të tjerë përfaqësojnë më së miri misionin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke ruajtur traditat, edukuar brezat me ndjenja atdhetare dhe kontribuar në harmoninë ndërfetare – një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë sonë.
Sot, duke ju dekoruar ju, ne nderojmë një trashëgimi të tërë shpirtërore e kombëtare. Ju jeni bartës të një tradite që predikon paqen, vëllazërinë dhe respektin për tjetrin – vlera që sot janë më të rëndësishme se kurrë për shoqërinë tonë. Në emër të bashkisë dhe të gjithë qytetarëve, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj të çmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj trashëgimie të vyer. Ju urojmë shëndet, mbarësi dhe vijimësi në misionin tuaj fisnik.
Faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për komunitetin dhe kombin tonë.

ERMIRA URUPI, KRYETARE E KËSHILLIT TË QARKUT ELBASAN
I nderuar Kryegjysh Botëror Bektashian, Shenjtëria Juaj, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj! Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik! Të nderuar deputetë!Të nderuar drejtues të institucioneve vendore dhe qendrore! Të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj,
Ka momente kur një institucion nuk kryen thjesht një akt formal. Ka momente kur një institucion flet me zërin e mirënjohjes, të kujtesës dhe të përgjegjësisë publike.
Sot është pikërisht një moment i tillë. Jemi mbledhur këtu për të nderuar një figurë, emri i së cilit lidhet me përkushtimin, urtësinë, harmoninë dhe shërbimin. Një figurë që, përmes misionit të tij, ka ditur të mbetet pranë njerëzve, pranë vlerave dhe pranë asaj që i jep kuptim bashkëjetesës sonë si shoqëri. Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj është një personalitet që nuk përfaqëson vetëm një institucion fetar. Ai përfaqëson një model të lartë qytetarie, një kulturë dialogu, një shembull të rrallë maturie dhe një zë të qëndrueshëm në mbrojtje të paqes, të mirëkuptimit dhe të dinjitetit njerëzor. Në jetën publike, shpesh vlerësohen ata që bëjnë zhurmë. Por historia respekton më shumë ata që ndërtojnë. Ata që nuk ndajnë, por bashkojnë. Ata që nuk nxisin përplasje, por japin qetësi. Ata që nuk e përdorin fjalën për të lënduar, por për të ngritur njeriun dhe shoqërinë. Pikërisht në këtë lartësi qëndron edhe figura e Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajt. Përgjatë viteve, ai ka dëshmuar se udhëheqja e vërtetë nuk matet vetëm me postin që mban, por me peshën morale që përçon. Nuk matet vetëm me autoritetin formal, por me besimin që ngjall. Nuk matet vetëm me fjalët që thotë, por me shembullin që lë pas. Kontributi i tij është i dukshëm në forcimin e harmonisë ndërfetare, në kultivimin e respektit reciprok, në mbrojtjen e vlerave të bashkëjetesës dhe në përçimin e mesazheve të paqes, brenda dhe jashtë vendit. Në një kohë kur bota përballet me ndarje, me tensione dhe me pasiguri morale, zëra të tillë marrin një vlerë edhe më të madhe.
Shqipëria ka një pasuri që nuk mund të matet me shifra: bashkëjetesën fetare.
Dhe kjo pasuri nuk është rastësi. Ajo është ndërtuar ndër vite nga njerëz që kanë ditur të vendosin urat mbi dallimet, respektin mbi paragjykimin dhe njeriun mbi gjithçka tjetër.
Një nga këta njerëz është, pa dyshim, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Ai e ka ushtruar misionin e tij me përulësi, por edhe me dinjitet. Me qetësi, por edhe me vendosmëri. Me besim, por edhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj shoqërisë. Në veprimtarinë e tij, dimensioni shpirtëror ecën krah për krah me dimensionin njerëzor; misioni fetar ecën krah për krah me shërbimin ndaj paqes, solidaritetit dhe mirëkuptimit. Kjo është arsyeja pse vlerësimi që japim sot nuk është thjesht një nderim individual. Është një vlerësim për një model. Për një qëndrim. Për një kontribut që tejkalon kufijtë e një komuniteti dhe merr rëndësi për gjithë shoqërinë. Si Kryetare e Këshillit të Qarkut Elbasan, e ndjej si detyrë institucionale dhe morale të theksoj se titujt e nderit marrin kuptim vetëm atëherë kur u jepen njerëzve që i kanë dhënë kuptim vetë jetës publike. Njerëzve që kanë ditur ta lartësojnë shërbimin në vlerë, përgjegjësinë në shembull dhe besimin në urë bashkimi. Për këtë arsye, Këshilli i Qarkut Elbasan ka vendosur t’ju akordojë titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”.
Ky titull vjen si shenjë respekti të thellë dhe mirënjohjeje të sinqertë për kontributin tuaj të çmuar në forcimin e harmonisë fetare, në përçimin e vlerave të paqes, në shërbimin ndaj njerëzve dhe në lartësimin e atyre virtyteve që e bëjnë më të mirë jetën tonë të përbashkët.
Sot ne nderojmë një figurë që ka ditur të jetë udhëheqës pa imponim, autoritet pa arrogancë dhe përfaqësues i denjë i vlerave që bashkojnë kombin tonë.
I nderuar Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj! Në emër të Këshillit të Qarkut Elbasan, kam nderin dhe privilegjin t’ju shpreh vlerësimin tonë më të lartë. E pranoni këtë titull si dëshmi të respektit institucional, të konsideratës qytetare dhe të mirënjohjes për veprën tuaj. Me këtë vlerësim, ne nderojmë jo vetëm atë që keni bërë, por edhe atë që përfaqësoni: urtësinë, paqen, tolerancën dhe dinjitetin. Ju faleminderit!

PËRSHËNDETJA E KRYEGJYSHIT, DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë! E Nnderuar Kryetare e Këshillit të Qarkut Elbasan! Të nderuar anëtarë të Këshillit të Qarkut Elbasan! Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore! Të dashur besimtarë dhe qytetarë të nderuar të Elbasanit, Me një ndjenjë të thellë përulësie dhe mirënjohjeje, që buron shpirti, e pranoj këtë titull të lartë “Qytetar Nderi”, si një bekim dhe një përgjegjësi të madhe shpirtërore.
Elbasani nuk është vetëm një qytet me histori, por një vend i bekuar ku ka rrahur fort zemra e bektashizmit ndër shekuj. Kjo tokë ka qenë vatër e dritës hyjnore, ku janë ngritur teqe dhe janë përhapur mësimet e urta të dashurisë, paqes dhe unitetit. Me nderim të veçantë kujtojmë dhe lartësojmë pasurinë e rrallë shpirtërore që përfaqëson kjo trevë, duke filluar me Teqenë e Madhe të Elbasanit, një ndër qendrat më të rëndësishme të bektashizmit, e themeluar në vitin 1800, nga Xhefai Ibrahim Babaj, e cila ndër vite ka shërbyer si vatër besimi, dijeje dhe përkushtimi për breza të tërë besimtarësh. Krahas saj, kjo krahinë e bekuar ruan në gjirin e saj edhe teqe të tjera me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore, si Teqe e “Baba Ali Horosanit”, me rrënjë që datojnë që në vitin 1543 dhe e rindërtuar më 1927; Teqe e “Baba Xhemal Turku”; si dhe Teqe e “Pusit që lahet vetë”, e vitit 1920, të gjitha dëshmi të gjalla të një tradite të thellë dhe të pandërprerë besimi. Në zonën e Gramshit, kjo trashëgimi pasurohet me Teqenë e “Shembërdhenjit”, e themeluar në vitin 1863 nga Baba Mustafai, si dhe Teqenë e “Dushkut” të vitit 1898, e lidhur me emrin e Baba Ahmetit, të cilat kanë qenë qendra të rëndësishme të jetës shpirtërore dhe komunitare. Po kështu, në qytetet Kavajë–Lushnjë, spikat Teqeja e “Luzit të Madh”, e themeluar nga Baba Sako, si dhe Teqeja e “Baba Skënderit” dhe shumë tyrbe, mekame e vende të mira, të cilat së bashku kanë udhëhequr dhe ndriçuar jetën fetare bektashiane në këtë rajon. Të gjitha këto institucione të shenjta përbëjnë një rrjet të gjallë besimi dhe përkushtimi, që historikisht dhe administrativisht kanë qenë të lidhura dhe të mbuluara nga Gjyshata Bektashiane e Elbasanit, nën varësinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke dëshmuar për një vazhdimësi të pandërprerë të kësaj rruge të ndritur shpirtërore. Këto vende të shenjta nuk janë thjesht ndërtesa, por janë tempuj të shpirtit ku njeriu ka gjetur paqen, ku janë edukuar breza me dashuri për Zotin dhe për njëri-tjetrin.
Kjo tokë ka nxjerrë edhe figura të mëdha të klerit bektashian. Me respekt të thellë kujtojmë Dede Ali Rizain, i cili shërbeu si baba në teqenë e Elbasanit dhe më pas u bë Kryegjysh Botëror, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e bektashizmit . Po ashtu, nuk mund të mos përmendim figurën e ndritur të Baba Shemimiut, i cili kontribuoi në ngritjen e teqeve dhe përhapjen e kësaj rruge shpirtërore edhe në Elbasan . Bektashinjtë kanë luajtur një rol të veçantë në jetën shpirtërore dhe kombëtare patriotike të Elbasanit, duke kontribuar jo vetëm në zhvillimin e besimit, por edhe në kulturën, arsimin dhe përpjekjet për liri. Teqetë e këtij qyteti dhe rajonit kanë shërbyer si qendra edukimi dhe diskutimi, ku breza të tërë mësuan vlerat e dijes, tolerancës dhe bashkëjetesës. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, figura të shquara patriotike si Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri u mbështetën shpesh nga klerikë bektashinj që vepronin në këtë zonë, duke përhapur idetë për emancipimin kombëtar dhe edukimin në gjuhën shqipe. Nga klerikët e njohur të Elbasanit, spikasin emra si Baba Ali Riza, Baba Fakri Xhefai, Baba Shememi etj, të cilët jo vetëm që udhëhoqën jetën fetare, por edhe ruajtën dhe mbështetën identitetin kombëtar dhe traditën kulturore të komunitetit. Kështu, bektashizmi në Elbasan ka lënë një trashëgimi të gjallë dhe frymëzuese, ku feja, dija dhe patriotizmi bashkëjetojnë në shërbim të njerëzve dhe të qytetit.
Në traditën tonë bektashiane thuhet: “Teqeja është shtëpia e zemrës, dhe zemra është shtëpia e Zotit.” Prandaj, çdo gur i këtyre vendeve të shenjta mban brenda lutje, sakrifica dhe dashuri të pakushtëzuar për njerëzimin. Në urtësinë popullore, që buron thellë nga fryma e besimit dhe traditës sonë, thuhet shpesh: “E ke bërë shtëpinë si teqe.” Kjo thënie e bukur dhe domethënëse nuk i referohet thjesht një rendi të jashtëm apo një vendi fizik, por mbi të gjitha një gjendjeje shpirtërore. Të bësh shtëpinë si teqe do të thotë ta kthesh atë në një vatër paqeje, mikpritjeje, dashurie dhe harmonie, ku çdo njeri që hyn ndjehet i respektuar, i dëgjuar dhe i mirëpritur. Kjo shprehje ka kuptimin e thellë të mikpritjes dhe të mirëseardhjes, duke hapur dyert e shtëpisë për çdo mysafir me dashuri, pa dallim. Në këtë kuptim, mikpritja e Elbasanit është trashëgimi shpirtërore dhe kulturore: qyteti ka qenë gjithmonë i hapur për vizitorët, për udhëtarët dhe për çdo zemër që kërkon ngrohtësi dhe respekt. Po ashtu, të gjitha teqetë dhe tyrbet e këtij rajoni kanë pasur rolin e shtëpive mikpritëse jo vetëm për besimtarët bektashinj, aty çdokush mund të ndjehej i mirëpritur dhe i mbështetur, duke përjetuar vlerat më të larta të bektashizmit – dashurinë, përulësinë dhe bashkëjetesën. Ashtu si teqeja është një vend ku njeriu gjen qetësi shpirtërore, ku largohet nga e keqja dhe afrohet me të mirën, edhe shtëpitë Elbasanase bartin këtë frymë dhe janë një tempull i vogël i shpirtit. Në to nuk mbizotëron zhurma e konfliktit, por fjala e urtë; nuk ka vend për përçarje, por për mirëkuptim; nuk sundon egoja, por përulësia dhe dashuria për njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, kjo shprehje është një thirrje për secilin prej nesh për të vijuar traditën , për të ndërtuar jo vetëm mure, por zemra të hapura; jo vetëm një banesë, por një vend ku jetojnë vlerat më të larta njerëzore dhe hyjnore. Sepse, siç na mëson edhe rruga bektashiane, teqe e vërtetë nuk është vetëm ajo që ndërtohet me gurë, por ajo që ndërtohet në zemrën e njeriut. Ky titull që më jepet sot nuk më përket vetëm mua, por është një nderim për gjithë këtë trashëgimi shpirtërore, për të gjithë ata klerikë që kanë shërbyer me përulësi dhe për të gjithë besimtarët që kanë mbajtur gjallë këtë rrugë të ndritshme. Siç na mëson urtësia bektashiane: “Mos kërko madhështinë në emër, por në shërbim.” Ky vlerësim më forcon edhe më shumë në këtë shërbim, për të qenë pranë njerëzve, për të përhapur dashurinë, për të mbrojtur paqen dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi në shoqërinë tonë. Lusim që Zoti i Madhërishëm të bekojë këtë qytet të bekuar, teqetë e tij, njerëzit e tij dhe çdo zemër që rreh për të mirën. Faleminderit nga zemra për këtë nder të madh! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!

MOTIVACIONI:
Republika e Shqipërisë. Këshilli i Qarkut Elbasan. Me urdhër Nr. 17, datë 19.03.2026, të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan, i jepet titulli: “Nderi i Qarkut Elbasan”, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi dede, Baba Edmond Brahimaj Me motivacionin: “Për kontributin si klerik, atdhetar e intelektual në përmbushjen e misionit bektashian “Pa Atdhe, nuk ka fe”, kontributin e njohur, për paqen e harmoninë njerëzore botërore, për vlerësimin e traditave fetare, kulturore, historike e atdhetare në bashkitë e Qarkut Elbasan, për mbështetjen konkrete e projekteve të ndryshme të institucioneve e faktorëve të tjerë të komunitetit elbasanas, në dobi të shoqërisë e së ardhmes” Elbasan më 19.03.2026. Kryetari/Ermira Urupi.