
Dita e enjte e 15 tetorit 2026, është dita që shënon 219-vjetorin e teqesë së njohur të Koshtanit në Tepelenë, një nga objektet e rëndësishme të këtij kulti jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë. Në përkujtimin e kësaj date, mes besimtarëve të Tepelenës dhe të ardhurve nga trevat e tjera, do të jetë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
“…Dita e 15 tetorit mbart brenda vetes një simbolikë të veçantë. Në tetor të vitit 1908, dyert e drunjta të kësaj teqeje, ato dyer aq të dashura për mijëra besimtarë jo vetëm nga Tepelena por edhe Mallakastra, Gjirokastra, Vlora e Përmeti, u çelën për nxënësit e të parës shkollë shqipe në këtë trevë. Së bashku me dijet për Zotin, nxënësit e atij shekulli aq të trazuar për Shqipërinë, do të mësonin dijet e historisë, gjeografisë dhe gjuhës së bukur shqipe, e cila ndonëse e lindur pesë shekuj më parë, ishte sulmuar aq barbarisht nga otomanët dhe të tjerë. …Librat e Haxhi Bektash Veliut ishin dhe mbetën të bashkuar në sepetet e baballarëve tanë, duke dëshmuar se Zoti dhe kombi nuk mund të mohohen. Kjo devizë madhështore ka mbrojtur jo vetëm mendimin por edhe veprimin bektashian të atyre viteve. Është folur shumë ndërkaq edhe për përpjekjet e baballarëve tanë për alfabetin me germa latine, madje disa prej tyre dhanë jetën për libra me alfabet të tillë. …Teqeja e Koshtanit ishte vënë plotësisht në funksion të shqiptarizmit, prandaj ajo u dogj dy herë, nga andartët grekë dhe forcat esadiste, ndrsa dervishët dhe baballarët e saj u burgosën dhe u vranë…”- pohon mes të tjerave, Dede Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Koshtanit zë një vend të rëndësishëm në historinë mbi tetë shekullore të tarikatit të paqtë bektashian, jo vetëm si një qendër e edukimit të besimtarëve e përhapjen e këtij besimin në Jugun e Shqipërisë, por dhe si një qendër atdhetare dhe e arsimimit shqip.
Teqeja e Koshtanit, ka një konstrukt të veçantë si objekt, me dhoma të bollshme, mejdanin, dhomën e pritjes e bisedave, ashefin, kuzhinën, mensën, dhomat e fjetjes etj, ka qenë në kohëra edhe një qendër e pasur ekonomike. Më 15 tetor të vitit 1908, në këtë teqe, është çelur e para shkollë shqipe për Tepelenën. Sipas dokumenteve, kjo teqe me emër është themeluar në vitin 1807 prej baba Sadikut me origjinë nga Turballia e Greqisë, i ndihmuar ky dhe nga baba Shememi Babai i Krujës. Ajo ka qenë një qendër e rëndësishme në krahinën e Tepelenës, krahas përhapjes së bektashizmit, por edhe për rolin që ka luajtur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare nëpërmjet aktivitetit të baballarëve të shquar si, baba Ahmedi, baba Kasua, baba Nurja, që janë ndër klerikët e parë që e drejtuan këtë teqe dhe kanë lënë gjurmë në historikun e saj. Aktiviteti i tyre fetar e atdhetar vazhdoi dhe më pas nga klerikët që drejtuan si: baba Muharremi, baba Ismaili, baba Shefqeti Gllava, baba Abedin Greshica, dervish Muharrem Zhapokika, dervish Ibrahim Zhapokika; baba Abedin Agaj me dervish Hysen Merdani, dervish Demir Xhakaj, devish Xhafer Sinamemaj, dervish Hamza Xhelilaj, baba Adem Maksutaj, (deri në vitij 1963) dhe, në vitin 1967 me baba Myrteza Tinari, dervish Myrteza Kamberi, baba Lutfi Memushaj, dervish Xhafer Sinomemaj. Marsi i vitit 1967 shënon dhe mbylljen e kësaj teqeje me emër, mbi bazën e vendimit shtetëror të kohës që ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare në Shqipëri dhe ushtrimin e aktivitetit të objekteve të kulteve. U ringrit në vitin 1990.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror : Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj:
“Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe të institucioneve shtetërore,
Të nderuar klerikë, të Bektashizmit,
Të dashur besimtarë, banorë të Koshtanit, Tepelenës dhe mbarë krahinës,
Të nderuar miq dhe të pranishëm,
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të ndajmë sot së bashku këtë ditë të rëndësishme për historinë dhe trashëgiminë tonë shpirtërore, në përkujtim të 219-vjetorit të themelimit të Teqesë së Koshtanit, një prej dëshmive të çmuara të traditës bektashiane në trevën e Tepelenës.
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një datë historike. Jemi këtu për të nderuar një trashëgimi të gjallë, një histori besimi dhe përkushtimi, një vend ku ndër breza janë përcjellë vlerat e paqes, dashurisë për njeriun, tolerancës dhe respektit për çdo besim e bindje.
Teqeja e Koshtanit, e ringritur në vitin 1807 nga Sadik Babai, me origjinë nga Thesalia, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë sonë fetare dhe kulturore. Figura e tij mbetet e lidhur me historinë e këtij vendi, ndërsa vepra e tij na kujton se trashëgimia shpirtërore ndërtohet përmes përkushtimit, sakrificës dhe besimit se e mira mund të përcillet nga një brez te tjetri.
Fakti që kjo teqe gëzon statusin e monumentit të kulturës e bën edhe më të rëndësishme detyrën tonë për ta ruajtur, mbrojtur dhe përcjellë këtë pasuri te brezat që vijnë. Monumentet e kultit nuk janë vetëm ndërtesa historike. Ato janë dëshmi të kujtesës sonë kolektive, të jetës shpirtërore të komuniteteve dhe të vlerave që kanë formësuar identitetin tonë ndër shekuj.
Historia e hershme e kësaj teqeje jeton jo vetëm përmes mureve të saj, por mbi të gjitha përmes besimit, urtësisë dhe dashurisë që përcjell te njerëzit.
Tradita bektashiane ka mbartur ndër shekuj një mesazh të qartë njerëzor: afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin, respektin për dinjitetin e çdo individi dhe kërkimin e së vërtetës përmes urtësisë, dashurisë dhe drejtësisë.
Për ne, besimi nuk duhet të jetë arsye për ndarje, por një urë që bashkon njerëzit. Ai duhet të na mësojë të jemi më të drejtë, më të dhembshur, më të përgjegjshëm dhe më të gatshëm për t’i shërbyer njëri-tjetrit.
Kjo është edhe arsyeja pse trashëgimia e teqeve tona ka një rëndësi që shkon përtej kufijve të komunitetit bektashian. Ajo i përket kulturës sonë kombëtare dhe pasurisë shpirtërore të Shqipërisë, një vend që ka dëshmuar ndër breza se bashkëjetesa fetare, respekti dhe harmonia janë vlera që duhen kultivuar çdo ditë.
Koshtani dhe Tepelena janë pjesë e kësaj historie. Përkujtimi i sotëm na jep mundësinë të shprehim mirënjohjen për të gjithë ata që kanë ruajtur kujtesën e kësaj teqeje, që kanë kontribuar në vazhdimësinë e saj dhe që kanë mbajtur gjallë lidhjen e komunitetit me këtë vend të shenjtë.
Një falënderim i veçantë shkon për klerikët bektashianë, për besimtarët, për banorët e zonës dhe për të gjithë ata që, me përkushtimin e tyre, kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Detyra jonë e përbashkët është që këto vende të mos mbeten vetëm dëshmi të së kaluarës, por të vazhdojnë të jenë burime drite, urtësie dhe frymëzimi për brezat e rinj. Ti mësojmë brezit të ardhshëm historinë e tyre, t’i njohim me vlerat e paraardhësve dhe t’u përcjellim përgjegjësinë për ta ruajtur këtë pasuri.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Në këtë përvjetor, le të kujtojmë se vlera e vërtetë e një trashëgimie shpirtërore matet edhe me ndikimin që ajo ka në jetën tonë të përditshme: me paqen që ndërtojmë, me drejtësinë që mbrojmë, me ndihmën që u japim njerëzve në nevojë dhe me respektin që tregojmë ndaj njëri-tjetrit.
Le të jetë kjo ditë një thirrje për më shumë mirëkuptim, më shumë solidaritet dhe më shumë përkushtim ndaj vlerave që na bashkojnë.
Uroj që Teqeja e Koshtanit të vazhdojë të qëndrojë si një simbol i besimit, i historisë dhe i harmonisë, duke ruajtur për brezat që vijnë mesazhin e përjetshëm të dashurisë për Zotin dhe për njeriun.
Gëzuar 219-vjetorin e Teqesë së Koshtanit!
Qoftë kjo ditë e bekuar për të gjithë ju, për familjet tuaja dhe për mbarë popullin shqiptar.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin! “






